Mandati i deputetit nuk është leckë. Është vullneti i popullit, diçka që duhej të trajtohej si e shenjtë. Por tragjikomedia verës me koalicionin Shqipëria bëhet (lëmsh) e ka kthyer në copë mishi të hedhur në mes të rrugës, duke e shqyer mes tyre si qen që nuk kanë parë kockë me sy.

Tiktok Lapaj ishte i bindur se gjithçka kishte mbaruar. Mandati ishte i tij i fituar, e mbyllur, e vulosur. Në kokën e tij, gjithçka po ecte sipas planit të një shpëtimtari që sapo kishte marrë çelësat e historisë. Por, si në çdo histori groteske ku heroi është më shumë imagjinar se real, erdhi plot-twisti: Zeqiri, daja i Shabanit, i preu ëndrrat në mes, me sharrën e Shabanit
Zeqiri i Shabanit që një ditë të bukur u zgjua me ambicje të fryrë në vesh për mandat.
Lapaj, Munchausen-i i lagjes, që është i bindur se gjithë universi sillet rrotull tij nisi të pëllasë si gomar i nervozuar, shpiku komplot, shpiku armiq dhe përsëriti mantran e krizës me një dramatizëm që i shkon vetëm ndonjë aktori dështak: “Do thyeni qafën bashkë me dajon!”. Në kokën e tij, kjo ishte një thirrje heroike, në sytë e publikut ishte thjesht një reagim prej laci lagjeje, kur i parkojnë makinën para garazhit. Dhe sa për moralin që predikonte? U tret në sekondë, bashkë me maskën e shpëtimtarit që vetë i kishte vënë vetes.

Përballë tij, Shabani që e shet veten si “Oxford boy”, por në fakt është një Oxfordian nga Alibaba; duket origjinal në reklamë por mjaftoi një shikim i afërt dhe u kuptua se është kopje me cilësi të dobët ballkanike. Kur sherri kapi kulmin, në vend që të ulej e të sqaronte si burrë e bëri si skuth lagjeje ku thurri ca poezi nëpër statuse facebooku, duke e kthyer këtë sherr politik në një festival të mjerimit virtual.
Në vend të një sqarimi serioz, vargje patetike, si ato statuset e gocave të frustruara që bëjnë “story” për çunat që i kanë lënë në seen. Dhe kjo është ironia më e madhe: këta që hiqen si brez i ri e shpëtimtarë të kombit, në momentin e parë të krizës sillen si adoleshentë që bëjnë dramë për vëmendje.

Aguridhe politike – as burrëri, as këllqe as politikë, vetëm pazare dhe drama online.

Pastaj erdhi Napolon Laska ish-Sekretari i Pergjithshëm i Shabanit. Non player character por mjaftoi një fjali që t’ia kepusë me top fasadës së Shabanit:
“Shabani ka vjedhur 240 mijë euro.”
E vërtetë apo jo, nuk kishte më rëndësi. Fasada e “Oxford parimor” ra, dhe Shabani u duk ashtu siç është: një kopje e lirë që i zverdhet boja nga dielli i parë.

Ne episodin e radhës, për të mos mbetur pas, Lapaj futi në lojë Tezen e tij 60-vjeçare që ishtë më sipër në listën e përbashkët, si gur për t’ia përplasur Shabanit në kokë. Sepse këta nuk kanë as ide, as programe; kanë vetëm njerëz që i përdorin si armë. Sot tezja, nesër hallat, pasnesër kushërinjtë që s’kanë lidhje me politikën, vetëm që të kapin, të kapin karriken.

Në qoshe, Pano. Nuk është më i mirë, por më i zi. Është po aq skuth, thjesht më i heshtur. Ai e shijon këtë pisllëk si dikush që pi birrë në ballkon e numëron sherrxhinjtë që bien përdhe. Dhe kënaqet më shumë kur sheh Shabanin e “Oxford-it” të rremë duke u zvarritur në baltë, bashkë me Lapajn që pëllet.

Tani presim personazhin e radhës. Ndonjë baxhanak sherrxhi me bark. Po kjo ka pak rëndësi. Sepse realiteti dhe thelbi i kësaj telenovele me karrike është ky: vullneti i popullit është kthyer në plaçkë, në një kockë për qen që nuk dinë as të gëlltisin, vetëm kafshojnë njëri-tjetrin. Nuk është turp për ta – këta turpin e rrëkëllejnë si ujë të ftohtë – por turp për ata që i votuan. Sepse kush u beson njerëzve që zihen si leckamanë në Facebook nuk ju duhet lënë në dorë as çelësi i biçikletës jo më jeta e fëmijëve./Nga Zonja Gjemb