OpenAI, krijuesi i ChatGPT, ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për të përdorur inteligjencën artificiale (IA) në përpjekje për të rritur efikasitetin e departamenteve shtetërore. Ky partneritet i ri do të përfshijë eksplorimin e mundësive se si IA mund të përdoret në fusha të tilla si arsimi, drejtësia, mbrojtja dhe siguria për t’i bërë ato “më efikase dhe efektive”.

Marrëveshja gjithashtu do të shqyrtojë mundësinë e investimit në infrastrukturën britanike të IA-së, siç janë qendrat e të dhënave. Ministrat duan që OpenAI të identifikojë mënyrat se si modelet e avancuara të IA mund të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve që përdoren nga publiku.

Sekretari për Teknologjinë Peter Kyle, tha: “IA do të jetë thelbësore për të nxitur ndryshimin që duam të shohim në vend – qoftë për të rregulluar NHS-në, për të thyer barrierat ndaj mundësive ose për të shtyrë rritjen ekonomike. Kjo nuk mund të arrihet pa kompani si OpenAI, të cilat po udhëheqin këtë revolucioni ndërkombëtarisht. Ky partneritet do të sjellë më shumë punë të tyre në Mbretërinë e Bashkuar.”

Në përpjekje për t’u bërë një qendër globale për IA-në, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar më parë planet për të investuar 1 miliard £ në infrastrukturën për zhvillimin e IA-së, me qëllimin për të rritur kapacitetin e saj 20 herë gjatë pesë viteve të ardhshme.