Më shumë se 2500 subjekte kanë shprehur interesin për të përfituar nga paketa e maleve. Shifrat i ka ndarë në rrjetet sociale ministrja e bujqësisë Anila Denaj, që e cilëson këtë paketë një epokë të re për rijetëzimin e zonave malore.
“Me mundësinë për të fituar pronësinë mbi tokën për vetëm 1 euro dhe duke përfituar lehtësira fiskale për 10 vite, kjo paketë do të rrisë punësimin dhe përmirësimin e jetesës, duke garantuar zhvillim rural të qëndrueshëm” shkruan Denaj.
Thirrja për paketën e maleve është hapur prej disa ditësh dhe 500 investitorët e parë do të zhvillojnë sipërmarrjet e tyre 10 vjet pa taksa, duke u përjashtuar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e pasurive të paluajtshme apo tatimi mbi të ardhura. Instrumenti synon të zhvillojë dhe nxisë turizmin e ekonominë në zonat malore të vendit, ku është më I pranishëm edhe fenomeni I emigracionit.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces do të kenë edhe bashkitë e vendit, pasi do të duhet të propozojnë dhe listojnë edhe zonat me përparësi për të innvestuar, që më pas do të miratohen me vendim të qeverisë.