Papa Leoni XIV ka kremtuar atë që është cilësuar si mesha e parë “jeshile” papnore, duke përdorur një formulë të re lutjesh për mbrojtjen e asaj çfarë ka krijuar Zoti.
Ceremonia u mbajt në kopshtet e qendrës së re të edukimit ekologjik të Vatikanit në Castel Gandolfo, rezidenca verore papnore në afërsi të Romës. Ajo shënon një vazhdimësi të qartë me qasjen mjedisore të Papa Françeskut, i cili mbrojtjen e ambientit e ktheu në një nga simbolet e pontifikatit të tij.
Mesha private u zhvillua për nder të qendrës “Laudato Si”, që mban emrin e enciklikës së vitit 2015 të Papa Françeskut. Në këtë dokument historik, Papa i parë nga Jugu Global denonconte mënyrën se si vendet e pasura dhe korporatat shumëkombëshe kishin shfrytëzuar Tokën dhe njerëzit më të pambrojtur për përfitime ekonomike.
Papa Leoni XIV miratoi formulën e re të Meshës “për kujdesin ndaj krijimit”, duke e shtuar atë në listën e 49 Meshëve të veçanta që Kisha Katolike ka zhvilluar gjatë shekujve për nevoja të veçanta. Zyrtarë të Vatikanit thanë se kjo nismë lindi si përgjigje ndaj kërkesave të shumta të frymëzuara nga enciklika e Papa Françeskut, që ka nisur një lëvizje të tërë kishtare në mbrojtje të natyrës.
Qëndrimi i Papa Leoni XIV për ndryshimet klimatike
Papa Leoni XIV, i pari papë me origjinë amerikane në histori, ka bërë të qartë se synon të çojë më tej trashëgiminë ekologjike të Papa Françeskut.
Ish-misionar për shumë vite në Peru, Papa Leoni XIV ka përjetuar nga afër pasojat e ndryshimeve klimatike në komunitetet më të brishta. Ai ka folur hapur për nevojën urgjente për drejtësi klimatike, sidomos për popujt indigjenë.
Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Lutjes për Krijimin, Papa Leoni XIV denoncoi ashpër “padrejtësitë, shkeljet e të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të popujve, pabarazitë e thella dhe lakminë që i ushqen ato, duke sjellë shpyllëzimin, ndotjen dhe humbjen e biodiversitetit.”
Ai nuk la vend për dyshime mbi shkaktarët: “Ndryshimet klimatike janë provokuar nga aktiviteti njerëzor.”
“Nuk jemi ende në gjendje të kuptojmë se shkatërrimi i natyrës nuk i prek të gjithë në të njëjtën mënyrë. Kur drejtësia dhe paqja shtypen, më të dëmtuarit janë të varfrit, të margjinalizuarit dhe të përjashtuarit,” shkroi ai në mesazhin e publikuar javën e kaluar.
Papa Leoni XIV rikthen në vëmendje projektin për centralin diellor
Mesha u kremtua në ditët e para të pushimeve të Papës në Castel Gandolfo, qytet kodrinor me pamje nga liqeni Albano, ku ai mbërriti të dielën dhe pritet të qëndrojë për dy javë.
Gjatë kësaj kohe, ai dha sinjale të qarta për angazhimin e tij ndaj mbrojtjes së ambientit, duke deklaruar se planifikon të vijojë një nga projektet më ambicioze të Papa Françeskut: ndërtimin e një centrali diellor në një hapësirë prej 430 hektarësh në veri të Romës.
Ky park diellor do të siguronte mjaftueshëm energji për të mbuluar nevojat e Vatikanit, duke e bërë atë shtetin e parë tërësisht neutral ndaj karbonit në botë.
Zyrtarët thonë se projekti kërkon një investim prej rreth 100 milionë eurosh dhe miratimin e parlamentit italian, pasi territori gëzon status eksteritorial që duhet të zgjatet.
Zona e quajtur Santa Maria di Galeria, ku ndodhej më parë qendra e polemikave për shkak të antenave të Radio Vatikanit, u vizitua nga Papa Leoni XIV në qershor. Ai e quajti vendin “një mundësi të mrekullueshme”.
Në një intervistë për televizionin shtetëror italian RAI, ai deklaroi: “Krijimi i këtij impianti do të japë një shembull shumë të rëndësishëm: jemi të gjithë të vetëdijshëm për pasojat e ndryshimeve klimatike, dhe duhet të kujdesemi për të gjithë krijimin, ashtu siç na ka mësuar qartë Papa Françesku.”