Nga Jakin Marena

Opozita kryesore në vend, Partia Demokratike, po tregon çdo ditë e më shumë se nuk ka objektiva të mëdha politike dhe për katër vitet e ardhshme! Madje e ka ulur ‘stekën’ fare!
Teksa zgjedhjet parlamentare të radhës më 11 maj opozita i humbi për të katërtën herë rresht, madje këtë radhë humbi shumë thellë duke lënë në këtë mënyrë në dorë të Ramës dhe aleatit të tij hipotetik PSD dhe më shumë se shumicën e cilësuar, plot 86 mandate deputeti, PD si partia më e madhe opozitare ka vendosur të ‘shijojë’ dhe disa gëzime të vogla! Relaksuese!
Janë gëzime që vijnë po nga fitore të vogla, anipse në masën 100 përqind të tyre, në fund të herës rezultojnë se janë lajme ‘kallp’, më shumë se sa ngjarje të vërteta, janë dëshira dhe ëndrra të Berishës dhe lidershipit të PD, thjeshtë e vetëm për të kënaqur egon e vetes e të liderit 81 vjeçar.
Nuk thonë kot ata të ‘mençurit e motit’ se robi lind kalama, rritet dhe pastaj bëhet sërish kalama kur kalon njëfarë moshe. Të mos zemërohet askush, se kam me të keq, është diçka që të gjithë do ta kalojmë. Gënjehet me pak, beson ato që dëshiron të dëgjojë, ka kërkesa e jeton në një realitet të përmbysur, me një fjalë çfarë të bie ndërmend, duke e ‘veshur’ me atë që të pëlqen më shumë. Aq më tepër kjo konsolidohet akoma më shumë, kur ata që të rrethojnë të duartrokasin si dhe e mbështesin për gjithçka që nxjerr nga goja! Po flasim për rastin e Berishës, të cilit lajme të tilla, qoftë dhe të rreme, i tingëllojnë si një muzikë e bukur në veshin e tij!

Dhe festohet si pa gjë të keq! Pavarësisht se nuk ka asgjë për të festuar, nuk ka fitore në horizont, përpos ‘fryrjen’ e dëshirave si dhe kapjen në ‘ajër’ të lajmeve të rreme, që edhe pas verifikimit, ndonëse zihen gafil në mashtrim, nuk e kanë për gjë të bëjnë sikur nuk e kanë mendjen, duke mos u skuqur e zverdhur aspak përballë njerëzve, ndoshta shumë të paktë, të cilët i shoqërojnë. Njëherësh shërbejnë dhe si burim batutash, ‘meme’-sh dhe humori për ata që ‘rrojnë’ për këto momente, megjithëse është një moment shumë i dhimbshëm teksa sheh opozitën e një vendi dhe lidershipim e saj të katandisur në këtë farë feje, sa s’ke as ku ta kapësh e as ku ta zësh me dorë!
Por PD ka treguar se di t’i ‘festojë’ bukur e me zhurmë këto ‘fitore’ të vogla, që për të kanë një rëndësi jetike, pasi mbajnë lart humorin e Berishës por dhe heqin pak mendjen e ithtarëve të tyre nga humbja e hidhur, e katërta në radhë, nga e cila pritet të mbeten plot 16 vite në opozitë. Me të drejtë shtyrjeje themi kjo ‘kontratë’ e PD me opozitarizmin, se gjasat janë që të humbin dhe në zgjedhjet e vitit 2029 dhe më tej!
Për të qënë më konkretë, ajo që mund të themi është se Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë festuar për herë të tretë një ‘fitore’ të madhe sipas tyre, atë të shkarkimit nga të gjitha funksionet në DASH, të ish ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. E festuan dhe këto ditë, për herë të tretë themi këtë ‘fitore të shumëpritur’, teksa morën shkas nga një foto e Kim, e cila kishte dalë për të duatrokitur kolegët e saj që ishin shkurtuar nga DASH, afër 1400 nëpunës që humbën vendin e punës për shkak të këtyre shkurtimeve. PD nuk e la rastin që t’i shpëtojë nga duart!

Teksa të gjithë ishin të zënë me ‘festën e fitores’ së shkarkimit të Yuri Kim nga Marko Rubio i DASH, teksa festonin madje si të çmendur nëpër rrjetet sociale, në garë me njëri tjetrin pa dallim nëse ishin zyrtarë apo ish zyrtarë të PD, gazetarë apo analistë pranë PD, militantë apo ‘gjuetarë’ rrjetesh sociale që komentojnë gjithçka thjeshtë e vetëm duke lexuar titullin e postimit dhe atë përgjysmë, askush nuk u kujtua të pyesë nëse realisht është shkarkuar nga DASH ish ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim. E themi këtë sepse këta të PD ishin ‘djegur’ dhe dy herë më parë me këto shkarkimet e Yuri Kim nga puna! Pa llogaritur ato të Donald Lu, që ishin kthyer në legjendë, pasi e kishin ‘ndjekur’ ecurinë e punës së tij deri në Kirgistanin e largët!
Nuk presim që këtë pyetje ta bënin para ‘festimit’ së kësaj ‘fitoreje’ të radhës as Belind Këlliçi, as Albana Vokshi apo ndonjë zyrtar tjetër që ka në ‘ngarkim’ këto marrëdhëniet me SHBA-në, Nuk i mendoj se duhen sforcuar aq shumë, aq më tepër që tani kanë filluar pushimet, por dhe kanë në dorë disa probleme të vogla në lidhje me nxjerrjen e naftës në zonën naftëmbajtëse në Patos-Marinëz e kështu me radhë. Njerëzit helbete janë dhe të zënë me punë, kanë dhe halle.

Mendojmë se këtë pyetje të thjeshtë duhej ta kishte bërë kompania apo kompanitë lobuese të PD për marrëdhëniet me SHBA, të cilat minimalisht janë paguar për tërë procesin e transferimit të çdo lajmi apo lëvizjeje nga koridoret e Uashingtonit në selinë buzë Lanës në Tiranë. Dhe janë paguar tepër rëndë, pasi thuhet nga selia e PD se pagesa ka shkuar mbi 20 milionë dollarë, për këtë lloj lobimi dhe për heqjen e ‘non gratës’ së Berishës. Dhe kur nuk marrin vesh nëse është hequr ose jo ‘armikja’ Yuri Kim nga DASH, imagjino pastaj se sa të aftë janë që të nxjerrin Berishën e PD nga humnera ku kanë rënë me kohë e vakt! Do të duhet që të kthejnë paratë e shkuara dëm, nëse do të zbatoheshin rregullat për një marrëdhënie normale kontraktuale, me detyrime të mirëpërcaktuara nga të dyja palët! Po para qyl janë në fund të herës, paratë e marrë në arkën e shtetit, pra të shqiptarëve. Se mos ka derdhur djersë familja e Berishës për këto para!

Por me rëndësi ishte se PD dhe Berisha e festuan ‘fitoren’ e arritur për largimin e Yuri Kim nga DASH. Anipse ishte një lajm i rremë, aq sa kur të dalë në pension diplomatik ish ambasadorja amerikane në Tiranë, demokratët nuk do të kenë për çfarë të festojnë! Por në këtë situatë partia më e madhe e opozitës kishte nevojë për një ‘fitore’, sado të vogël e mbi të gjitha, dhe të rreme!

Yuri Kim akuzohet për gjithçka i ka ndodhur PD dhe Berishës në tërë këto vite! Sidomos pas vitit 2021, kur kreu i PD u shpall familjarisht ‘non grata’ në SHBA, e mbi të gjitha teksa Yuri Kim kërkonte nga lidershipi e anëtarësia e PD të distancoheshin nga e shkuara. Pra nga Berisha. Ndryshe sipas Yuri Kim, ‘do të hanin bar’ me pak fjalë. Kjo i ka irrituar përkrahësit e Berishës, teksa ish ambasadorja e krahasoi kreun e PD me ish diktatorin Enver Hoxha, që deklaronte ‘dhe sikur bar të hamë, parimet nuk i shkelim’. Në fakt PD-ja ‘bar’ po ha, është në mandatin e katërt rresht në opozitë, ndërsa ktheu nga pensionimi me tërë kuptimin e fjalës liderin historik 81 vjeçar, Sali Berishën, “të ardhmen” e PD! Duke i shuar të gjitha shpresat për pushtet!

Në fakt në PD nuk ‘ngopen’ dhe sikur Yuri Kim ta shuajnë fare, sepse nuk ia falin atë që sipas tyre i ka bërë kryetarit të tyre Berisha. Dhe ‘festa’ sa herë që në ndonjë cep shfaqet lajmi se Yuri Kim është shkarkuar nga puna në DASH, tregon qartë se është thjeshtë një përpjekje për të ‘ngushëlluar’ Berishën, në këto ditë të rënda politike në kërkim të alibisë së qëndrueshme për të kaluar ‘hendekun’ e humbjes së rëndë të zgjedhjeve më 11 maj! Kërkojnë t’i bëjnë qejfin pasi në shtator pritet ndonjë ndryshim në nivelet e dyta në lidershipin e PD dhe të grupit parlamentar të kësaj partie! Vendi i parë nuk diskutohet, është i zënë, madje dhe pas Sali Berishës, të paktën dy breza nga familja e tij. E kanë pronë të vetën PD-në ata!
Por PD ka ‘festuar’ dhe për gjëra të tjera akoma më të vogla se shkarkimi i pretenduar dhe aspak i realizuar i Yuri Kim nga DASH. Demokratët ishin në delir, teksa nga rinumërimi i votave në qarkun e Fierit, kandidatja e PS Zegjine Çaushi humbi për momentin mandatin për 10 vota! Ishte një festë e madhe kjo në PD, rrjetet sociale u mbingarkuan nga postimet dhe shprehja e gëzimit përmes videove dhe fotove. Dhe nuk kishin faj!

Zegjineja e PS ia kishte ‘nxirë’ jetën gjatë tërë fushatës Gaz Bardhit, dhe për më tepër po vijonte ta masakronte dhe pas 11 majit. Politikisht themi! Kjo ‘fitore’ do t’i japte pak gajret Gazit që të merrte veten, pasi në fushatën e 11 majit nuk u ndje fare. E ‘mbyti’ Zegjineja’. Festa e njerëzve rreth tij ishte një ngushëllim për Bardhin! Por siç ka një shprehje lapidare vetë Sali Berisha, dhe në këtë rast lidershpit të PD ‘i ngriu buzëqeshja në buzë’. Festa u kthye përmbys, ndërsa fitorja u ‘iku nga duart’. Zegjineja e mori prap mandatin, pas heqjes dorë nga kolegia e saj fituese me 10 vota. Dhe Gazi nuk do gjejë derman, do ta ketë Zegjinenë në Kuvend për 4 vite me radhë, për t’ia nxirë jetën dhe në arenën më të madhe politike! Dhe këta të rinjtë e sotëm s’ta përtojnë fare!

Në fund të herës, ajo që mund të themi është se situata në PD është tepër e rëndë, një situatë pa asnjë rrugëdalje për ringritjen e kësaj partie. E cila në vend që të ndryshojë, të reformohet dhe të organizohet për zgjedhjet vendore që janë në prag si dhe të përgatitet për ato parlamentare pas katër vitesh, vijon të merret me gjëra të vogla, të gëzojë për gjëra të tillë, dhe lajme ‘kallp’ si ai i shkarkimit të Yuri Kim apo humbja e mandatit të Zegjinesë. Sa për të shtyrë këtë verë. Shtyje ta shtyjmë me një fjalë, i bëjnë qejfin kryetarit Berisha por dhe Gazi Bardhit, dhe janë në rregull me të gjitha letrat. Ndoshta dhe tallen me ta, duke ditur se me sa pak u bëhet qejfi, sidomos në këtë situatë, ku janë gati të kapen dhe pas ‘fijes së barit’ si ai i mbyturi. Ajo që mund të themi është se praktikisht vendi është pa opozitë. Dhe ky është lajmi më i keq i këtij sezoni!