Sot, 32 vjet pas ngjarjes që tronditi themelet e diktaturës komuniste, kujtojmë hapjen e ambasadave perëndimore në Tiranë, një moment kyç që shënoi fillimin e lëvizjes antikomuniste dhe çoi në përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës.
Më 2 korrik 1990, Shqipëria, e cila ishte izoluar për më shumë se katër dekada nën sundimin e një regjimi të ashpër dhe totalitar, nisi të hapi dyert për një të ardhme të paimagjinueshme – një të ardhme të lirisë dhe demokracisë.
Në një vend ku populli vuante nga varfëria ekstreme dhe mungesa e lirisë, për shqiptarët, ambasadat e huaja u bënë ‘pika shpëtimi’, dhe për shumë prej tyre, shpresa e vetme për t’u shpëtuar nga dhuna dhe shtypja e regjimit.
Në ditët pas hapjes së ambasadave, dhjetëra mijëra shqiptarë filluan të merrnin rrugën drejt ambasadave të huaja për të kërkuar azil. Ata ishin të gatshëm të arratiseshin nga Shqipëria e diktaturës dhe kërkonin shpëtim në shtetet perëndimore. Qeveria shqiptare, e cila deri atëherë kishte mbajtur një politikë të ashpër ndaj largimit të qytetarëve, u detyrua të bëjë një hap pas dhe të lejonte largimin e mijëra shqiptarëve. Në total, gjatë 10 ditëve që pasuan, rreth 5,200 qytetarë shqiptarë patën mundësinë të largoheshin nga vendi.
Ngjarja e 2 korrikut ishte një katalizator i lëvizjes studentore të dhjetorit 1990. Pasi ambasadat perëndimore u hapën, një frymë e re e ndryshimit përshkoi Shqipërinë, duke pasuar me protestat e studentëve dhe qytetarëve që kërkonin më shumë liri dhe demokraci. Kjo valë revolucioni do të çonte në rrëzimin përfundimtar të regjimit komunist dhe në krijimin e një shteti të ri shqiptar, të bazuar në parimet e demokracisë dhe pluralizmit politik.