47 të plagosur, tre në gjendje të rëndë është bilanci i një aksidenti që ka ndodhur para pak mesditës në zonën e Voulës të kryeqytetit grek. Dy autobusë urbanë në rrugën Konstandinos Karamanlis, pranë plazhit të Vulës janë përplasur në rrethana të panjohura. Mes 47 të plagosurve janë edhe 17 fëmijë. Tre të rritur janë në gjendje të rëndë, sidomos një i moshuar që ka dëmtime të shumta nga përplasja.
Të rriturit janë dërguar në spitalin Asklipio të Vulës dhe Gennimatas, ndërsa fëmijët në spitalin pediatrik “Aglaia Kyriakou”. Në vendngjarje kanë mbërritur 8 autoambulanca, 2 motoçikleta të Nëdrhyrjes së shpejtë dhe 3 njësi lëvizëse të emergjencës EKAV.
Sipas burimeve spitalore nga të plagosurit asnjë nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Aksidenti ka ndodhur kur një prej autobusëve që shkonte drejt Varkizës, u përplas me autobusin tjetër që shkonte drejt Saronidës, pra lëviznin në të njëjtin drejtim. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre u përplas me shpejtësi në pjesën e pasme të tjetrit.
Siç ka deklaruar kryebashkiaku i Vulës, Grigoris Konstantellos: “Mendoj se ishim me fat që nuk pati më shumë të plagosur. ”
Hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë, ndërsa operacioni për largimin e mjeteve dhe pastrimin e rrugës është ende në zhvillim dhe qarkullimi është vështirësuar në zonën ku ndodhi përplasja.