Kryeministri Edi Rama thotë se do të ketë rregullore të administrimit të hapësirës publike.
Në mbledhjen me deputetë të Tiranës dhe drejtorë të bashkisë, Rama u shpreh se njerëzit që përfaqësojnë ligjin dhe nuk marrin përgjegjësinë e tyre, do të ndëshkohen penalisht.
“Së shpejti, do të përfundojmë edhe një rregullore të administrimit të hapësirës publike, bazuar në një dokument të bashkisë, që do të adaptohet, dhe që do t’i japë një drejtim të përgjithshëm, të gjithëve. Qoftë administratorëve, qoftë inspektorëve. Padiskutim, në këto masa do të vendosen edhe përgjegjësia penale e inspektorëve të territorit, policëve bashkiakë, shefave të komisariateve, për çdo ndërtim pa leje që nuk u ka rënë në sy. Njerëz që përfaqësojnë shtetin, nuk mund të luajnë me dy porta, duhet të marrin përgjegjësinë e tgyre, thjesht dhe vetëm të informojnë. Policia do ta ketë të detyruar që të marrë përsipër, të informohet nëse ka apo jo leje ndërtimi. Masat e reja do të penalizojnë çdokënd. Do të kemi draft përfundimtar dhe do ta kalojmë në qeveri, para përfundimit të pushimeve.”, theksoi ai.