Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë dje vendim për të rrëzuar në tërësi mocionin e mbrojtjes lidhur me rrëzimin e disa fakteve materiale që kanë të bëjnë me akuzat në aktakuzë që lidhen me ngjarje që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Smith tha se ato se çfarë ka kërkuar mbrojtja të rrëzohet nga akuza, përmes mocionit, janë fakte materiale që kanë të bëjë me akuzat dhe pikat në aktakuzë.

“Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por është një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuara që përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzë”, tha ai.

Sipas gjyqtarit, Rregulla 130 është interpretuar në mënyrë të vazhdueshme që kërkon një rishikim të provave që kanë të bëjnë me secilën prej pikave të aktakuzës dhe jo me secilin fakt material apo pretendime materiale që përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzë.

“Trupi gjykues vëren që të gjitha incidentet përkatëse që gjithashtu janë akuza në kuadrin e krimeve kundër njerëzimit të cilat ndryshe nga krimet e luftës janë nuk marrin parasysh dhe nuk e kanë të rëndësishme ekzistencën e një konflikti të armatosur në kohën përkatëse. Për rrjedhojë, edhe në qoftë se do të konsideronte në themelësi dhe në qoftë se këto kundërshtime të mbrojtjes do të vlerësoheshin të suksesshme, mocioni i mbrojtjes nuk do të çonte në rrëzimin e asnjë prej pikave të aktakuzës”, tha Charles Smith III. Andaj, Smith njoftoi se mocioni i mbrojtjes u rrëzua në tërësinë e vet, duke u bazuar në Rregullën 130.

“Trupi gjykues nuk është bindur që ka autoritet sipas Rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose materiale që formojnë pjesë të aktakuzës në qoftë se për shkaqe kohore ose për shkaqe të tjera. Mbi këtë bazë, trupi gjykues e rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas Rregullës 130 në tërësinë e vet”, tha ai.

Pas kësaj, Smith lëshoi edhe një urdhër gojor lidhur me një parashtrim me vonesë të listës së provave materiale të ZPS-së për disa faqe të përzgjedhura të një dokumenti që ZPS-ja e kishte dorëzuar përmes dëshmitarit 04826. Trupi gjykues autorizoi ZPS-në që të ndryshojë listën e provave për të përfshirë edhe disa faqe në këto prova materiale. Më pas, trupi gjykues kërkoi nga palët që të bëjnë parashtrime të shkurtra me gojë sa i takon kërkesës së përbashkët të mbrojtjes për përjashtim të provave.

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws tha se Gjykata e Apelit e ka zgjedhur këtë çështje në aktgjykimin në çështjen e Pjetër Shalës. Ai në seancë private iu referua versionit konfidencial të aktgjykimit të Apelit në këtë rast.

Ndërsa, Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, tha se kërkesa e tyre është për përjashtimin e disa pjesëve të një akt-ekspertize që kanë të bëjnë me besueshmërinë e një dëshmitari që nuk u përmend.

“Mbrojtësi i viktimave nuk mund të paraqes prova përmes një dëshmitari lidhur me besueshmërinë. Këtë mund ta bëjë ZPS-ja, mund ta bëjmë ne, por jo mbrojtja e viktimave sepse roli i tyre është i kufizuar vetëm tek dëmtimi dhe pasojat. Ne kërkojmë, përjashtimin e provave vetëm të pjesëve të caktuara që i kemi dhënë në poshtëshënimin 2”, tha ai.

Smith tha se pas pauzës do të merret vendimi për këtë aspekt dhe më pas do të vazhdohet me dëshminë e dëshmitarëve VE01 dhe VE02, që janë dëshmitarë ekspertë të mbrojtjes së viktimave. Pas kthimit nga pauza, kërkesa e mbrojtjes për përjashtim të provave u rrëzua.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./ Express/