Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, më i votuari nga listat e hapura të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit, në qarkun e Tiranës, shprehet se mandati i tij nuk rrezikohet dhe është në mirëbesim të marëveshjes që kanë bërë në koalicion.
Ky ishte reagimi i tij sot për ‘Studio Live’ në Report Tv për moderatorin Arbër Hitaj, pas lajmit se një prej kandidatëve të listës së mbyllur, Zeqir Kordhoni, ka kërkuar të verifikohet firma e dorëheqjes së tij në KQZ, pasi nuk mbante mend ta kishte hedhur.
Lapaj tha se lista e mbyllur u hartua me familjarë të përfaqësuesve të koalicionit politik, me qëllim që ata të dorëhiqeshin dhe kjo rrugë politike u zgjodh për të kundërshtuar Kodin Elektoral që PS-PD miratuan për listat e mbyllura, në shenjë proteste.
Lapaj tha se Kordhoni është kandidat nga “Nisma Thurrje” e Endri Shabanit, me të cilin nuk ka asnjë krisje dhe ky formacion politik vijon të jetë i bashkuar.
“Në këtë betejë kemi hyrë për parimet dhe kemi sjellë një model tjetër. Kemi ndjekur këtë rrugë për të kundërshtuar Kodin Elektoral të famshëm nëpërmjet dorëheqjeve dhe kandiduam në listat e hapura. Zoti Kordhoni është pjesë e listave, te lista e mbyllur u futën familjarë. Do e takoj pa problem fare, sy më sy, janë familjarë tanë, në dijeninë time kanë bërë dorëheqjen. Nuk kam pasur informacion fare për Kordhonin, ai është kandidat i Nismës Thurrje. Mos e keni merak, unë jam në terren. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se më parë. Çdo qasje e pushtetit për të na penguar nuk funksionon”, tha ai.
Lapaj u shpreh se kjo rrugë kandidimi u zgjodh në mirëbesim, kurse Kordhoni ndodhet shumë poshtë listës për t’u bërë deputet. Ai u shpreh i sigurt se nuk e rrezikon mandatin dhe se këto ishin manovra të pushtetit, pasi janë trembur.
“Nuk rrezikohet mandati im. Zoti Kordhoni është shumë poshtë listës, nuk ekziston ajo. Ai ëhstë pjesë e listës së Shabanit. Unë jam në mirëbesim në këtë rast, nëse dikush e trajton ndryshe do marri përgjigjen si shërbëtor i shtetit. Me zotin Shabani nuk kemi probleme. Nuk më kthejnë dot pas as me shantazhe, kërcënime e ndërhyrje. Në koalicionin tonë gjithçka shkon mirë, nuk ka krisje”, theksoi Lapaj për Report Tv./Shqiptarja.com