Kryeqyteti i Ukrainës përjetoi një natë tmerri pasi Rusia ndërmori një sulmin më të madh ajror me dronë dhe raketa, duke plagosur të paktën 23 persona dhe shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, ndërtesa banimi dhe automjete.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjithsej 539 dronë dhe 11 raketa gjatë natës, shumica e të cilave u drejtuan ndaj Kievit. “Objektivi kryesor i sulmeve ishte kryeqyteti i Ukrainës,”, thuhej në një postim zyrtar në aplikacionin Telegram. Nga këto 550 arme ajrore, 478 prej tyre u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 14 nga të plagosurit janë shtruar në spital. Dëmet u regjistruan në gjashtë nga dhjetë distriktet e qytetit, në të dy anët e lumit Dnipro. Në distriktin Holosiivskyi, rrëzimi i një droni ndezi flakë në një institucion shëndetësor. Pamje në rrjete sociale tregojnë qytetarë duke vrapuar drejt strehimoreve, ndërtesa me dritare të shpërthyera dhe zjarrfikës në përpjekje për të shuar flakët. Goditje mbi hekurudhat shkaktuan vonesa në transportin publik. Sulmet ajrore nuk u kufizuan vetëm në Kiev. Forcat Ajrore deklaruan se objektiva u goditën në tetë vendodhje të tjera në të gjithë vendin. Në qytetin lindor Pokrovsk, një zonë e sulmuar prej muajsh, pesë persona u vranë nga bombardimet ruse të enjten në mbrëmje.

Kievi ka qenë vazhdimisht nën sulme gjatë javëve të fundit, përfshirë disa nga sulmet më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftës në shkurt 2022. Të dyja palët mohojnë të kenë në shënjestër civilët, por mijëra janë vrarë, shumica dërrmuese në territorin ukrainas. Kievi, qytet me tre milionë banorë, vijon të qëndrojë në këmbë – por çmimi i rezistencës është gjithnjë e më i lartë.