Raketa “Eris” e para e llojit të saj e ndërtuar në Australi, e ndërtuar nga “Gilmour Space Technologies”, u rrëzua vetëm 14 sekonda pas nisjes, të mërkurën në mëngjes, gjatë përpjekjes së parë për të arritur orbitën nga territori australian.

Eris ishte raketa e parë orbitale e projektuar dhe prodhuar në Australi, e cila u nis nga një bazë hapësinore pranë qytetit Bowen, në veri të Queensland. Ajo synonte të transportonte satelitë të vegjël në hapësirë.
Pamjet treguan raketën duke u ngritur nga platforma, përpara se të binte dhe të zhdukej nga pamja. Mbi vendin e ngjarjes u panë re tymi, por nuk pati të lënduar.

Kompania e quajti lëshimin një sukses të pjesshëm, pasi të katër motorët hibride u aktivizuan dhe raketa qëndroi në fluturim për 14 sekonda. Adam Gilmour, drejtuesi i kompanisë, tha se ishte i kënaqur që raketa u ngrit nga toka, duke shtuar se është e rrallë që një kompani private të arrijë orbitën në përpjekjen e parë.

Kryetari i bashkisë Whitsunday, Ry Collins, e përshkroi lëshimin si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një industrie hapësinore në rajon.

Gilmour Space ka mbështetje nga fonde private dhe këtë muaj mori 5 milionë dollarë australianë nga qeveria federale për zhvillimin e raketës. Më parë, kishte përfituar edhe një grant prej 52 milionë dollarësh për zhvillimin e teknologjive hapësinore.

Ky ishte testi i parë orbital në mbi 50 vjet nga toka australiane. Deri më sot, Australia ka realizuar vetëm dy lëshime të suksesshme drejt orbitës.