Shpejtësia e lartë, një gomë e shpërthyer dhe asfalti i pabarabartë dyshohet se janë faktorët kryesorë që çuan në aksidentin tragjik ku humbën jetën Diogo Jota, ylli i Liverpool-it dhe i kombëtares së Portugalisë, dhe vëllai i tij, André Silva, gjithashtu futbollist.

Dy vëllezërit ndodheshin në një Lamborghini Huracán me qira, i cili doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët, pasi një nga gomat e pasme shpërtheu gjatë një manovre parakalimi në autostradën A-52 pranë Cernadilla, në Zamora (Spanjë).
Sipas mediave spanjolle, Jota kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë dhe jo me avion për arsye mjekësore. Ai ishte rikuperuar së fundmi nga një ndërhyrje kirurgjikale në mushkëri dhe, për shkak të rrezikut të ndërlidhur me ndryshimet në presionin e ajrit, mjekët e këshilluan të shmangte fluturimet.

Dy vëllezërit ishin nisur drejt Santander, ku do të merrnin tragetin e orës 16:00 për në Portsmouth (Angli). Prej andej, Jota do të udhëtonte drejt Liverpool-it për t’u bashkuar me stërvitjen e ekipit të martën.
Autostrada A-52, që lidh Galicinë me Portugalinë, është kritikuar prej kohësh për gjendjen e saj të keqe. Në prill të vitit të kaluar u raportuan dhjetëra ankesa për infrastrukturën, ndërsa vetëm dhjetë ditë më parë, një grua u plagos rëndë në të njëjtën zonë ku ndodhi edhe aksidenti i Jotës.
Sipas Guardia Civil, përplasja ndodhi gjatë një parakalimi, ku shpejtësia e automjetit mendohet të ketë qenë mbi kufirin prej 120 km/h. Hetimet për saktësimin e shpejtësisë dhe kushteve të rrugës janë ende në zhvillim.

Rute Cardoso, bashkëshortja e Diogo Jotës, ka mbërritur në Institutin e Anatomisë Ligjore në Zamora, ku janë dërguar trupat për identifikim përmes ADN-së. Ajo dhe tre fëmijët e çiftit ishin pjesë e dasmës që u mbajt vetëm 12 ditë më parë, në Porto.
Autoritetet kanë ofruar mbështetje psikologjike për Ruten dhe familjarët.
Funerali i dy vëllezërve do të mbahet nesër (e shtunë) në orën 10:00 të mëngjesit, në katedralen e Gondomarit, afër qytetit të lindjes së tyre, Porto. Homazhet nisën sot në Capela da Ressurreição, ku me dhjetëra persona të prekur nga tragjedia po i japin lamtumirën dy të rinjve që lanë gjurmë në futbollin portugez dhe më gjerë.