Raundi i tretë i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës janë takuar mbrëmjen e 23 korrikut në Stamboll, me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, që u ka bërë thirrje palëve që t’i japin fund sa më shpejt që të jetë e mundur “luftës së përgjakshme”, që ka nisur mbi tre vjet më parë.
“Qëllimi ynë është që t’i jepet fund luftës së përgjakshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Qëllimi përfundimtar është një armëpushim që do t’i hapte rrugë paqes”, tha Fidan në nisje të negociatave.
Turqia, e cila ka raporte të mira me të dy fqinjët e saj në Detin e Zi, ka furnizuar Ukrainën me dronë dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në sanksionimin e Moskës.
Ministri Fidan falënderoi liderët rus dhe ukrainas, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, për shfaqjen e “vullnetit për të mbajtur këto bisedime”, si dhe presidentin amerikan Donald Trump, për thirrjet e tij për t’i dhënë fund luftës.
Ai tha se raundi i parë dhe i dytë i bisedimeve, të cilët gjithashtu u zhvilluan në Stamboll, arritën “rezultate të rëndësishme”.
“Jemi të gëzuar që kemi parë realizimin e këmbimit të të burgosurve”, tha ai.
“Shpresa jonë për këtë raund të tretë negociatash është që palët të zhvillojnë konsultime thelbësore dhe të orientuara drejt rezultateve mbi memorandumet që kanë shkëmbyer”, tha Fidan.
Ai shtoi gjithashtu se nëse arrihet një armëpushim, Turqia ka “infrastrukturën e nevojshme për një mekanizëm për ta monitoruar atë”.
Palët janë takuar në Stamboll në maj dhe qershor dhe janë pajtuar vetëm për këmbimin e të burgosurve dhe trupave të ushtarëve të vrarë.
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, i dha Rusisë 50 ditë kohë që t’i japë fund luftës, në të kundërtën tha se Moska do të përballet me sanksione. Por, Kremlini nuk ka dhënë sinjale se ka vullnet për kompromis.
“Askush nuk pret një rrugë të lehtë. Do të jetë shumë e vështirë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për pritjet e tij për bisedimet.
Ukraina tha se shpreson që të dy vendet do të diskutojnë për lirimin e të burgosurve dhe të nisin punën për një takim mes Zelenskyt dhe Putinit.
Të dy palët kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme për përfundimin e konfliktit.
Rusia ka kërkuar që Ukraina të tërhiqet nga katër rajonet ukrainase që Moska pretendon se i ka aneksuar në shtator të vitit 2022 një kërkesë që Kievi e ka cilësuar si të papranueshme.
Ukraina ka përjashtuar çdo negociatë për territorin para një armëpushimi dhe ka thënë se kurrë nuk do të njohë pretendimet e Rusisë mbi territoret e pushtuara përfshirë Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.
Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha në lindje dhe jug të Ukrainës dhe ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra ushtarë dhe civilë.