SHBA dhe Japonia kanë arritur një marrëveshje tregtare pak ditë para afatit të fundit për tarifat të vendosura nga Presidenti Trump. Sipas marrëveshjes, në vend që të aplikohej një taksë 24% për të gjitha produktet japoneze që hynë në SHBA, ato tani do të kenë një taksë më të ulët prej 15%.

Një pikë kyçe e marrëveshjes është se, ndryshe nga marrëveshja mes SHBA dhe Britanisë së Madhe, nuk ka kufi për numrin e makinave japoneze që mund të përfitojnë nga tarifa më e ulët. Taksat për makinat dhe pjesët e automjeteve janë ulur nga 25% në 15%, duke e bërë Japoninë shtetin e parë që ka arritur të sigurojë një ulje të tarifës 25% për automjetet.

Makina përbëjnë më shumë se një të katërtën e eksporteve të Japonisë në ShBA.
Megjithatë, çeliku dhe alumini japonez ende mbeten nën një taksë 25%. Kjo marrëveshje konsiderohet një fitore për të dyja palët, pasi Japonia është një partner i rëndësishëm tregtar i ekonomisë më të madhe në botë.