Pasioni i jetës së saj nuk ishte vetëm sporti që e ushtronte si profesioniste.

Laura Dalmajer, një legjendë gjermane dhe botërore e sportit të biatlonit, pati edhe një dashuri tjetër të madhe, ngjitjen nëpër male, diçka që e deshi aq shumë saqë e shoqëroi në momentet e fundit të jetës.

Kampionia e dyfishtë olimpike u shua në moshën 32-vjeçare, ndërsa po ngjitej në Malin Laila në Pakistan, e përfshirë në një rrëshqitje dheu e shkëmbinjsh. Ajo po ngjitej në majën legjendare me lartësi mbi 6 000 metra, në Masivin Malor Karakorum, ndërsa moment tragjik erdhi në 28 korrik.

Fillimisht, u mendua se ajo ishte plagosur dhe u dërguan ekipe të shpëtimit për ta gjetur, ndonëse moti i keq i pengoi jashtë mase. Vetëm në 30 korrik, u konfirmua se kampionia nga Bavaria kishte humbur jetën.

Laura, e ndërgjegjshme për rreziqet që i kanoseshin, kishte lënë që më parë testamentin e saj, sipas të cilit trupi i saj duhej të mbetej në malin ku ajo do të vdiste. Vullneti i saj u respektua dhe ajo do të prehet në Malin Laila në Pakistan.

Dalmajer fitoi dy medalje të arta olimpike dhe 7 të arta botërore në një karrierë të shkëlqyer që përfundoi në 2019.