Do thoni ju pse ky farë titulli kaq ‘ordiner’ ose ‘banal’ ose ‘tallës’ ose ‘i ndyrë’?

Në fakt nuk është as papjekuri politike ajo që ka ndodhur, madje as një sherr klishe i politikës, po është një ndodhi e cila sa duket sikur meriton vëmendje, meriton dhe një injorim me ca komente po aq banale, të ndyra, tallëse dhe ordinere si vetë titulli.

A nuk është po aq ordinere sa titulli që ata aq të rinj të bëjnë një sherr në 24 orë, që nuk është parë as kur Berisha i përmendte falangat Fatos Nanos apo gjethen Edi Ramës? A ka më ordinere se ajo që bën Shabani, që shkon lidh koalicion si e ardhmja e Shqipërisë me Adriatikun edhe pa pikë turpi dje i përmend vjehrrin. Del dhe thotë që e qetësova Zeqirin tim dhe Zeqiri im nuk do ta nxjerrë më ‘llapën’ për të kërkuar mandatin edhe të nesërmen Shaba ta nxjerrë dhe dajën aktivist, ta nxjerrë të përdorur, të bëjë ca makinacione që i thua vetes ti, si popull kur e sheh që sa i zgjuar paskam qenë që nuk ja lashë Zeqirit të ardhmen time.

Pastaj ky tjetri, ky viktima e shekullit, ky Tiku që i janë vënë dhe ufot mos të marrë mandat. Ky Tiku që ka dhe Zotin kundra për mos të pasur fatin të flasë përballë Edi Palokës dhe Tërmet Peçit. Po a mund të ketë more më ordinërllëk se ky palacollëk i Tikut që del si shpresa e shpresës dhe vete e shkon e bën një lëmsh që është turp ta shohësh.

Sa keq do jenë ndjerë ata dhjetëra mijë votues të gjorë që i kanë parë këta dy ‘llapistët e mandateve’ tani si ato eskortat që kanë filluar hyjnë nëpër burgje ku e ku të kapim një çek?

Ajo e djeshmja ishte një shfaqje e shëmtuar prostitutash që kanë shkuar me të njëjtin klient dhe nuk ndajnë dot lekët më gjysmash se njëra ka hipur më mirë sipër se tjetra.

Nuk e di domethënë, tani bëhet moral me gjuhën e kujdestarit të klasës, por luftohet për një karrige si për shpëtim shpirti. Dje brohoritën bashkë për “shpresën e re”, sot bëjnë si të dhunuar seksualisht politikisht nga njëri-tjetri. E turpshme, po jo siç e mendojmë ne turpin, po siç e ndien një djalë që ka fshirë çdo status me emrin e tyre.

Shabani tani bën si i tradhtuar nga familja e vet politike. Po kur e vendose me firmën tënde, mor njeri, që mandatin ta mbante ai që nuk dilte në listë? Apo mendove që nuk do vinte dita të mos ishe vetë në listë? Apo kujtove se “koalicioni i ëndrrës” ishte pronë personale? Ti që dje i fërkoje shpatullat Tikut si mjeshtër i harmonisë, sot silles sikur ke shpëtuar nga një sekt. Jo, nuk ke shpëtuar. Je pjesë. Je prodhim i një mashtrimi që ka vetëm një ide, me çdo kusht të futemi në sistem dhe pastaj të sillemi sikur sistemi jemi vetë.

Ndërsa Tiku, ai flet për parime me zërin që dridhet nga poshtërimi, po të gjithë e dimë që nuk i dhe asnjëherë forcë atyre parimeve. Se të ishte për parime, nuk rrije një sekondë në një marrëveshje që nuk e kuptoje. Po rrije, se kujtoje se do ta haje vetë tortën. Tani që nuk e ndave dot me dajon e gabuar, bën si viktimë. Po viktimë e kujt, mor shpresë e lodhur? E vetes tënde je viktimë. E epshit për të qenë deputet pa qenë kurrë i qartë. Dhe më keq akoma, i përdore njerëzit si pasuri personale për të çuar përpara një luftë që nuk ishte për vlera, por për vend në listë.

Kjo ishte një lojë që nuk fitohej. Jo nga ne që e shohim nga jashtë, po nga ju që e ngritët si ndërtesë me tulla hipokrizie. Ajo godinë u shemb në më pak se një muaj, sepse ishte ndërtuar mbi atë që të dy e njihni mire,  mashtrimin që vjen i paketuar si ndryshim.

Po tani? Çfarë do bëni, do shkruani status me radhë duke e akuzuar njëri-tjetrin si “i kapur” dhe “i zhgënjyer”? Do bëni ndonjë dokumentar për “shansin e humbur”? Apo do kërkoni ndjesë? Jo, asnjëri nuk do kërkojë ndjesë. Se ndjesa është për ata që ndihen fajtorë, dhe ju të dy jeni të vetmit që vërtet besoni që s’keni faj.

Në fund fare, kjo histori do mbahet mend jo për një mandat që nuk u nda, por për mënyrën sesi dy djem që shisnin shpresë, e kthyen idealizmin në orgji interesi. Dhe që e vetmja gjë që ndanë drejt, ishte fyerja ndaj inteligjencës sonë.

/ Nga Hermes Kafexhiu