Një përplasje e ashpër ka ndodhur në fshatin Vinjoll të Matit, ku disa banorë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj përfaqësuesit të një kompanie që po ndërton një hidrocentral në zonë. Ngjarja, që ka alarmuar komunitetin lokal dhe institucionet shtetërore, vjen mes tensioneve të thella mes banorëve dhe investitorit strategjik, kompania “Doma Group sh.p.k.”.

Sipas informacioneve të para, banorët janë shprehur prej kohësh të shqetësuar për ndikimin që ndërtimi i hidrocentralit ka mbi burimet ujore të zonës – burime që përdoren prej dekadash për ujë të pijshëm dhe për bujqësi. Pikërisht kjo pakënaqësi mendohet të ketë çuar në një përplasje të dhunshme, ku është goditur me grushta 39-vjeçari Ashim (Hashim) Doma, përfaqësues dhe administrator i kompanisë.

Kush qëndron pas investimit?

Pas projektit fshihet kompania “Doma Group sh.p.k.”, një emër që është kthyer në sinonim të debatit për hidrocentralet në zonën e Dibrës. Kompania është në pronësi të vëllezërve Doma, ndërsa Ashim Doma është një emër i njohur jo vetëm në biznesin energjetik por edhe në politikë, në vitin 2013, ai garoi si kandidat për deputet në listat e Partisë Socialiste për qarkun Dibër.

Procesi për ndërtimin e hidrocentralit ka nisur zyrtarisht që në vitin 2013, por pas një bllokimi të gjatë, rifilloi më 2020. Sipas dokumenteve zyrtare, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për vijimin e punimeve më 24 prill 2024, ndërsa Agjencia e Zhvillimit të Territorit e ka finalizuar me lejen përfundimtare më 23 janar 2025.

Kompania aktualisht është e angazhuar në ndërtimin e dy hidrocentraleve: HEC-i Vinjoll dhe HEC-i Doma, projekte që kanë hasur rezistencë të fortë nga banorët e zonës.

Tensioni shpërthen në dhunë reagon policia

Ngjarja më e fundit ndodhi në fshatin Kurçelaj, ku banorët kanë protestuar duke dëmtuar një automjet të kompanisë dhe kanë ushtruar dhunë ndaj përfaqësuesit të saj. Policia e Matit ka reaguar menjëherë, duke ndjekur penalisht disa nga personat e përfshirë në përleshje.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Matit:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprat penale ‘Plagosja e lehtë me dashje’, ‘Vetëgjyqësia’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës’ në ngarkim të shtetasve:
H.B., 30 vjeç, S.Ç., 24 vjeç, L.B., 24 vjeç, L.K., 25 vjeç, të gjithë banues në Klos.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë dëmtuar një automjet në pronësi të një shoqërie që po kryen punime për ndërtimin e një hidrocentrali në fshatin Kurçelaj, si dhe kanë goditur me grushta në pjesë të ndryshme të trupit një 39-vjeçar, investitor i kësaj shoqërie.”

Reagimi i banorëve dhe heshtja e institucioneve
Banorët e Vinjollit dhe Kurçelajt e kanë cilësuar ndërtimin e hidrocentralit si “rrënim i jetës së përditshme”, duke argumentuar se po u merren burimet jetike të ujit pa u konsultuar dhe pa u ofruar asnjë garanci për mbrojtjen e interesit publik. Përplasja e fundit është reflektim i një zemërimi të akumuluar prej vitesh, i cili tashmë po del jashtë kontrollit.

Ndërkohë, autoritetet shtetërore dhe institucionet përgjegjëse për lejet e dhëna, nuk kanë reaguar publikisht mbi incidentin apo mbi shqetësimet e komunitetit.

Ngjarja mbetet e hapur për hetime, ndërsa tensionet në zonën e Matit pritet të thellohen edhe më tej nëse nuk ndërhyhet për të krijuar dialog mes palëve.