Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar zyrtarisht se ka nisur një procedim penal për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, në lidhje me kontratën koncesionare të këtij investimi strategjik.

Ky informacion është bërë publik përmes regjistrit të pyetjeve të publikut dhe medias, një platformë e krijuar nga SPAK për të rritur transparencën mbi çështje me interes të lartë publik.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës. Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake,” – thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Kush qëndron pas aeroportit?

Zotëruesi kryesor i koncesionit të Aeroportit të Vlorës është kompania “Mabco Constructions”, në pronësi të biznesmenit nga Kosova, Behgjet Pacolli, e cila mban 98% të aksioneve. Pjesa tjetër prej 2% është në pronësi të shoqërisë 2A Group SH.P.K.

Në kontratën e koncesionit, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të garantojë të ardhura minimale për investitorin. Më konkretisht, nëse trafiku i pasagjerëve nuk i përgjigjet pritshmërive, shteti është zotuar t’i garantojë koncesionarit 138 milionë euro për 10 vitet e para të operimit. Nga ana tjetër, shteti përfiton 50% të të ardhurave vetëm nëse tejkalohet skenari optimist i performancës.

Historia e projektit dhe ndryshimet në konsorcium

Ndërtimi i aeroportit nisi në nëntor të vitit 2021, me një investim të parashikuar prej 104 milionë euro, në një sipërfaqe prej 309 hektarësh në zonën e Nartës. Fillimisht, projekti u drejtua nga një konsorcium mes kompanisë “Mabetex” (Pacolli) dhe partnerit turk “Yda Group”. Por vetëm pak muaj më vonë, kompania turke u tërhoq, dhe aksionet e saj u blenë nga “Mabco Constructions” për vetëm 4450 euro, duke i dhënë Pacollit kontrollin pothuajse të plotë mbi projektin.

Çështje mjedisore në sfond

Aeroporti i Vlorës ka qenë objekt kritikash nga shoqatat mjedisore, të cilat kanë paralajmëruar për dëmin e mundshëm që ndërtimi i tij mund t’i sjellë ekosistemit të lagunës së Nartës, një zonë me rëndësi të veçantë për biodiversitetin në vend.

Aktualisht, SPAK nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi personat nën hetim apo afatet e procedurës, por konfirmimi i procedimit penal nënkupton se kontrata dhe procesi i përzgjedhjes janë nën lupën e drejtësisë.