Gjatë një vizite njëditore në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës — një nga ngjarjet më të rënda të historisë së afërt evropiane, ku mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe në korrik 1995, në një zonë të shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që shpall 11 Korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Në këtë kuadër, ceremonia e sotme mblodhi krerë shtetesh, ministra të jashtëm dhe përfaqësues të lartë nga e gjithë bota.
Në kuadër të vizitës, Ministri Hasani zhvilloi takime me homologun e tij, z. Elmedin Konaković, Ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe me z. Amer Kapetanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Bisedimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit në rajon dhe në avancimin e agjendës evropiane të Ballkanit Perëndimor.