Provinca jugore siriane e Sweidës është përfshirë nga një valë e re dhune, ndërsa përleshjet e armatosura midis fiseve beduine dhe grupeve të pakicës druze kanë dalë jashtë kontrollit. Sipas të dhënave të publikuara nga Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut, numri i viktimave ka arritur të paktën 321 persona.

Të plagosurit janë dërguar për trajtim në një spital fushor në fshatin Deraa, ndërsa përplasjet e armatosura vijuan edhe të premten në disa zona të provincës, sipas raportimeve nga banorët vendas.

Në një deklaratë për agjencinë shtetërore siriane të lajmeve, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme deklaroi se forcat qeveritare aktualisht nuk po planifikojnë të rikthehen në Sweida. Kjo deklaratë erdhi si reagim ndaj lajmeve të publikuara nga disa media rajonale, të cilat raportuan se qeveria siriane po përgatitej të ndërhynte sërish në provincë për të shuar dhunën mes grupeve të armatosura druze dhe fiseve beduine.

Trupat e ushtrisë siriane ishin tërhequr nga Sweida pas njoftimit për një armëpushim të arritur të mërkurën. Megjithatë, dhuna shpërtheu sërish mbrëmjen e së enjtes, duke përfshirë grupet e armatosura të dy palëve ndërluftuese.

Në një përpjekje për të rivendosur rendin, qeveria në Damask vendosi sërish forca ushtarake në zonë gjatë kësaj jave. Provinca Sweida ndodhet pranë kufirit me territoret e kontrolluara nga Izraeli, dhe situata është përshkallëzuar edhe më tej pas përfshirjes së Tel Avivit në luftime.

Izraeli, i cili ka shprehur kundërshtinë ndaj vendosjes së forcave të regjimit sirian në jug të vendit, reagoi me sulme ndaj pozicioneve siriane. Të mërkurën, forcat izraelite goditën trupat siriane, duke shënjestruar edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Sirisë dhe një zonë pranë pallatit presidencial në Damask.