Gjatë diskutimit me kryebashkiakët në Durrës, kryeministri i vendit, Edi Rama, paralajmëroi se punë ditësh ose javësh do të dalin çmimet e reja të referencës për pronat. Ai theksoi se nga ky proces prona e dytë do taksohet më shumë. Sipas Ramës, kjo do t’ju vijë në ndihmë bashkive, që të kenë më shumë të ardhura.

“Ndërkohë kam një gjë për të shtuar dhe ministri mbase mund të më plotësojë. Punë ditësh ose javësh, do dalin çmimet e reja të referencës, Ato do kenë dhe një element tjetër të ri, që taksa për shtëpinë e dytë do jetë më e madhe sesa për shtëpinë e parë. Kështu që, bashkitë, sidomos ato të bregdetit , do ketë një të ardhur të shtuar nga ky proces pasi shumë njerëz në bregdet kanë shtëpitë e dyta.

Por, nga ana tjetër, duke marrë parasysh që çmimet e referencës rritën në mënyrë të konsiderueshme dhe e bëjnë jo të vogël taksën e pasurisë, që do të thotë se kush do ta menaxhojë taksën e pasurisë mirë do ketë të ardhura shumë më tepër, sepse ajo është baza kryesore në të gjithë bashkitë e botës.

Në disa bashki kemi taksa lokale eksesive në disa, gjë që nuk na bën sens. Ne e kemi bërë zero taksën e biznesit të vogël, ndërsa në disa bashki taksa e tavolinë, taksa e tabelës. Kush ka shtëpi në bregdet, do duhet të paguajnë më shumë”, tha Rama.
Kjo u konfirmua edhe nga ministri i Financave, Petrit Malaj.

“Jemi drejt finalizimit të çmimit të referencës”, tha ministri.