Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori e kishte parashikuar në mënyrë thuajse profetieke disa javë para zgjdhjeve të 11 majit, estradën Lapaj-Shabani që është shpërfaqur furishëm ditët e fundit.

I ftuar në emisionin Zonë e Lirë me gazetarin Arjan Çani në prag të zgjedhjeve, Qori pohonte se Lapajn e Shabanin nuk i bashkonte asgjë në koalicionin që bënë dhe se ditën pas zgjedhjeve dhe shanin e akuzonin njëri-tjetrin.

Kreu i Lëvizjes Bashkë ironizonte dyshen e koalicionit parazgjedhor Nisma Shqipëria Bëhet se jo vetëm nuk i bashkon asgjë, po gjithashtu nuk i besojnë askujt duke vënë mamin e babin nëpër lista.

“Këta nuk i bashkon asgjë me njëri-tjetrin. Këta të nesërmen e zgjedhjeve, po ta them këtu, do ta shajnë njëri-tjetrin, do ta mallkojnë njëri-tjetrin.

Do i thonë njëri-tjetrit “më vodhe votat” sepse nuk i bashkon asgjë, thjesht kanë një uniformë të përbashkët, pra i kanë thënë vetes jemi koalicioni X dhe secili nga ne ka vetëm një interes, secili nga ata që janë në ato lista aty.

Si të bëhem individualisht deputet, nuk u intereson asgjë tjetër, as idetë, as programi, as historia. Një parti serioze e para nuk e bën këtë gjë por hyn siç janë rregullat.

E dyta, edhe nëse është e detyruar ta bëjë, ka aktivistë brenda partisë që e bën. Këta thonë, meqë nuk i zëmë besë askujt përveç mamit dhe babit, do vëmë mamin dhe babin në listën e sigurt.

Nesër po të marrin pushtetin do thonë, mami dhe babi do bëhen ministër, do bëhen drejtorë, se tjerët kushedi na e fusin.

Ky është karagjozllëku më i madh, kjo është të tallesh me qytetarët”, deklaronte Qori në mënyrë gati profetike.