Deputeti demokrat, Dashnor Sula ishte i ftuar në A2 CNN ku komentoi “telenovelën” në kampin e “Nismës Shqipëria Bëhet” se kujt i takon mandati i fituar.

Sula shprehet se të dyja palët kanë përgjegjësi për situatën e krijuar, teksa shton se Lapaj bëri shumë deklarata populiste gjatë fushatës që nuk mund t’i gëlltiste lehtësisht.

“Shyqyr që pata një nuhatje politike dhe nuk rashë në atë gropë që ra Lapaj. Kjo është një telenovelë meksikane, por po të shikosh u harrua Thethi. Kjo është si ajo dasma që bëhen tapë njerëzit e nuses me të dhëndrit. Këto janë parti të reja me hile të vjetra. Unë ju kërkova garanci kur pata kontakte me ta përpara zgjedhjeve të 11 majit. Për mua të dy palët kanë përgjegjësi. Por përgjegjësia më e madhe i përket Lapaj. Duhet të ishte më i kujdesshëm. Ai tha që nëse do merrte një mandat, ai nuk do t’i takonte atij. Është e vështirë të gëlltisësh ato që ke thënë”, u shpreh Sula.