Teksa palestinezët e dëshpëruar janë në kërkim të ushqimit, thirjet ndërkombëtare për sanksione ndaj Izraelit janë rritur.
Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për Gazën dhe Bregun Perëndimor Francesca Albanese tha se është koha që kombet në mbarë botën të ndërmarrin veprime konkrete për të ndaluar atë që ajo e quajti gjenocid në Gaza.

Ajo theksoi se ccdo shtet duhet të rishikojë dhe pezullojë menjëherë të gjitha lidhjet me Shtetin e Izraelit, duke filluar nga marrëdhëniet ushtarake, diplomatike dhe ato ekonomike.

Albanese shprehu bindjen e saj se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht bashkëpunëtore në atë që po bën Izraeli, duke furnizuar me armë.

Ministrja e jashtme sllovene Tanja Fajon u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mbështesin sanksione më të ashpra kundër Izraelit për shkak të situatës humanitare në Gaza.

Fajon tha se unioni duhet të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të ushtruar presion mbi Izraelin dhe për të parandaluar vdekjet e civilëve.

Sllovenia ka qenë ndër kritikët më të fortë të Izraelit që nga fillimi i luftës në Gaza, duke u bërë thirrje anëtarëve të tjerë të BE të bashkojnë forcat në sanksionet tregtare dhe të vendosin një embargo armësh.

Ndërkohë kryeministri britanik Keir Starmer tha se ishte i tmerruar nga raportet për civilë të vrarë në Gaza, ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare.

“Izraeli duhet të marrë masa që mbrojnë siç duhet civilët në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ne gjithashtu duam të shohim, një armëpushim të menjëhershëm”, tha Starmer.

Më shumë se 2 milionë palestinezë të Gazës po jetojnë një krizë katastrofike humanitare. Që prej fillimit të luftës 21 mujore, Izraeli ka bombarduar dhe rrethuar Rripin e Gazës, duke e lënë enklavën në prag të urisë.