Një proces gjyqësor i përmasave të rralla ka nisur në Berlin, ku një mjek paliativ 40-vjeçar akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve në kujdesin e tij, përmes një koktej vdekjeprurës medikamentesh dhe djegien e banesave të tyre, me qëllim fshehjen e krimeve.

Prokuroria gjermane e ka akuzuar të dyshuarin, i identifikuar vetëm si Johannes M., për 15 vepra penale të vrasjes me paramendim dhe motive të ulëta, dhe po kërkon dënimin maksimal të parashikuar nga ligji gjerman – burgim të përjetshëm, që zakonisht nënkupton 15 vjet heqje lirie. Megjithatë, prokurorët synojnë të bindin gjykatën se rasti përmban rrethana “veçanërisht të rënda faji”, që do të mundësonte ndalimin e përhershëm të lirimit të tij dhe ndalim të përjetshëm të ushtrimit të profesionit të mjekut.
Në seancën e parë të së hënës, prokurori Philipp Meyhoefer tha se mjeku kishte organizuar vizitat në shtëpitë e pacientëve me qëllim për t’i vrarë “pa dijeninë apo pëlqimin e tyre”, duke përdorur një përzierje vdekjeprurëse ilaçesh, duke përfshirë një anestezik dhe një relaksues muskulor, të cilat paralizonin frymëmarrjen dhe shkaktonin asfiksi brenda pak minutash, shkruan Guardian.

“Ai veproi me përbuzje ndaj jetës… dhe u soll si zot i jetës dhe i vdekjes,” deklaroi Meyhoefer në gjykatë.
Dy nga vrasjet dyshohet të kenë ndodhur në të njëjtën ditë në vitin 2024.
Johannes M. punonte për një shërbim mjekësor mobil, që ofronte kujdes paliativ në shtëpi për pacientë në faza të fundit të sëmundjes. Viktimat e tij, 12 gra dhe 3 burra, ishin nga mosha 25 deri në 94 vjeç, dhe humbën jetën midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024. Edhe pse ishin rëndë të sëmurë, asnjëri prej tyre nuk pritej të vdiste në atë moment.

Hetimet nisën pasi një kolege e dyshuar raportoi se të paktën pesë nga pacientët e tij kishin ndërruar jetë në rrethana të dyshimta, përfshirë edhe në zjarre në banesat e tyre.

Prokuroria ka konfirmuar se po shqyrton edhe rreth 70 raste të tjera, që mund të jenë të lidhura me mjekun, përfshirë vdekjen e vjehrrës së tij në Poloni, e cila vuante nga kanceri dhe vdiq në fillim të vitit 2024.
I akuzuari ka refuzuar të flasë përpara trupit gjykues dhe nuk ka pranuar t’i nënshtrohet një vlerësimi psikologjik. Motivet e tij të mundshme mbeten të paqarta.
Procesi gjyqësor pritet të zgjasë deri në fund të janarit 2026, sipas agjencisë DPA, dhe do të përfshijë rreth 150 dëshmitarë. Trembëdhjetë familjarë të viktimave janë bashkuar në proces si palë civile.
Ky rast ka rikthyer kujtimet e një prej kapitujve më të errët të mjekësisë gjermane, kur infermierja Niels Högel u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2019 për vrasjen e 85 pacientëve, duke u cilësuar si vrasësi serial më i madh në historinë e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.