Irani nuk ka rënë dakord për inspektime të programit të tij bërthamor ose për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit.
Në bordin e Air Force One, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se besonte që programi bërthamor i Teheranit ishte “shkatërruar përgjithmonë”, megjithëse pranoi se Irani mund ta rifillonte atë në një lokacion tjetër.
“Me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu do të kemi një takim për Iranin. Natyrisht, e dini suksesin, ishte i madh. E gjithë çështja bërthamore u shpërbë në copa, do të thoja se u pengua përgjithmonë. Nëse Irani do ta bënte përsëri, mund të fillonin në një vend tjetër, sepse ai vend është shkatërruar plotësisht. Por nëse do të fillonin, do të ishte problem. Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhte,” tha Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh, ndër të tjera, se zyrtarët iranianë duan të takohen me të, por ende nuk e kanë vendosur.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka bërë të ditur se kishte tërhequr inspektorët e saj nga Irani.
Trump komentoi edhe telefonatën me Putin, ku njoftoi se ka diskutuar sanksionet me presidentin rus, i cili është i shqetësuar për to.
“Folëm shumë për sanksionet. Do të thoja se nuk është i kënaqur me to. Ai ka qenë në gjendje t’i përballojë sanksionet, por këto janë sanksione mjaft të ashpra. Ne flasim shumë për sanksionet dhe ai e kupton se ato mund të vijnë. Ai është një profesionist,” tha Trump.
Trump u tha gjithashtu gazetarëve në bordin e Air Force One se kishte folur me Zelensky për mundësinë e dërgimit të raketave të mbrojtjes ajrore Patriot në Kiev.
Presidenti amerikan vlerësoi efikasitetin e raketave Patriot, duke e quajtur armën mjaft të mahnitshme.