Shtetet e Bashkuara do të tarifojnë Rusinë me 100% tarifa tregtare nëse Vladimir Putin nuk pranon t’i jap fund luftës me Ukrainën brenda 50 ditësh. Ishte ky njoftimi i fortë i paralajmëruar nga Presidenti Amerikan që u dha këtë të hënë nga Shtëpia e Bardhë, pasi Trump takoi Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se presioni, i tij tregtar ka shërbyer për të ndalur dhe parandaluar disa luftëra, ku mes tyre sipas asaj që Trump tha ishte edhe një luftës mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi shumë të pakënaqur me Rusinë dhe ne do të vendosim tarifa shumë të ashpra nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh. Tarifa tregtare prej 100%, do ti quaja tarifa dytësore dhe ju mund ta kuptoni se çfarë do të thotë kjo. Ne kemi qenë të suksesshëm në zgjidhjen e shumë luftërave nëpërmjet presionit tregtar. Keni Indi – Pakistan, keni Ruandë – Kongo keni gjithashtu Kosovën dhe Serbinë. E përdora tregtinë për ta ndalur këtë luftë mes tyre”, tha Trump.

Donald Trump tha se është koha që Vladimir Putin ti kthejë vendit të tij ekonominë që meriton, ndërsa shtoi se nuk është i sigurt nëse tani ne këto momente duhen Sanksione te reja ndaj Rusisë. Presidenti Amerikan tha se ai ka folur disa herë me Presidentin Rus dhe tha se bisedimet me të ishin shumë të mira, por shtoi se Kreu i Kremlinit sapo mbyllte telefonatën me të zgjidhte të bombardonte qytetet Ukrainës duke shfaqur qarte zhgënjimin me të.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë dha më shumë detaje edhe mbi armët që Washingtoni do ti jap Ukrainës ku theksoi se pagesat e këtyre armëve prej miliarda dollarësh do të bëhen nga Bashkimi Europian dhe nga NATO, duke shtuar se kjo nuk do të jetë më një barrë vetëm e Amerikës. Trump tha se në dërgesat e armëve për Ukrainën do të ketë edhe armë të tjera përveç sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot, por për diçka të tillë nuk dha më shumë detaje.

Në rastet e nevojave urgjente Kreu i shtëpisë së Bardhë tha se armët për Ukrainën mund të dërgohen nga bazat amerikane në Europë dhe më pas Washingtoni do ti zëvendësoj ato në vende siç është Gjermania. Hapi i fundit i Donald Trump për të shtuar presionin maksimal ndaj Rusisë vjen pasi Presidenti Amerikan ka deklaruar më herët se mbyllja e luftës në Ukrainë mbetet një nga prioritetet e tij kryesore.