2 korrikun e vitit 1990, me të vetmen armë në duart dhe zemrat e tyre shpresën, shqiptarët mposhtën frikën e rrënjosur thellë në deje prej regjimit ndoshta më të egër komunist të Europës Lindore, dhe zgjodhën t’i dorëzohen të panjohurës.
5 mijë vetë mësynë ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë, pa asnjë garanci se nuk do të ktheheshin në viktimat e shteti hakmarrës diktatorial, që edhe pse dukej në grahmat e fundit, për individin rebel mbetej një kërcënim. Pjesa dërrmuese e tyre, mbi 3.000 persona, arritën të hynin në ambasadën gjermane, territori i së cilës u kthye në atë moment për ta në Tokën e Premtuar.
Njeriu që çeli ambasadën gjermane në Shqipëri në 1987-tën, ishte ai që tre vjet më vonë do të kthehej në dëshmitar e njëkohësisht, edhe protagonist të të paimagjinueshmes, duke i hapur dyert e godinës së re të sapo përfunduar të këtij misioni, e duke i ndihmuar të hynin njerëzit e etur për liri dhe për një jetë më të mirë në Perëndimin e Artë.
Ish ambasadori Daum, ishte nga të paktët që parashikoi shembjen e regjimit. Në intervistën e tij të dhënë pak para se të ndërronte jetë, diplomati rrëfen për gazetaren e Top Channel Irida Vasia, sesi i përjetoi vitet e fundit të regjimit komunist në Shqipëri më në krye Enver Hoxhën, për të cilin thotë se ishte i aftë të vriste edhe nënën e tij.
Gazetarja: Zoti Ambasador, ju ishit diplomati i parë gjerman që hapët ambasadën gjermane në Tiranë në vitin 1987. Si e mbani mend Tiranën e asaj kohe? Çfarë dinit për Shqipërinë më parë? Kush ju priti këtu dhe si i përjetuat vitet e fundit të regjimit komunist në vendin tonë?
Daum: Kjo është një pyetje që kërkon rreth tre ditë përgjigje të pandërprerë, tri ditë të plota. Por po përpiqem ta përmbledh shkurt: Unë u prita shumë mirë nga zyrtarët, nga qeveria. Ata shfaqën shpresë të madhe për marrëdhëniet me Gjermaninë. Por e kuptova shumë vonë se populli shqiptar në fakt, vetë nuk kishte asnjë mënyrë për të më mirëpritur. Shqiptarëve nuk u lejohej të flisnin me të huaj, nuk duhet të shiheshin me të huaj. Nëse kjo ndodhte, ata merreshin në pyetje nga policia dhe Sigurimi.
Gazetarja: Si ju ndikoi kjo atëherë?
Daum: Fillimisht nuk e vura re. Qeveria e kishte të lehtë, sepse kishte shumë pak të huaj në vend dhe shumica prej tyre, përveçse ishin vërtet shumë të paktë, nuk është se ishin dhe aq të interesuar për Shqipërinë. Unë isha i interesuar. Atëherë flisja dhe gjuhën, se e kisha mësuar. Tani fatkeqësisht tani e kam harruar. ( Qesh). Por qeveria kishte vënë në skenë një shfaqje të madhe, një komedi. Dhe aktor ishte populli shqiptar. Kundër vullnetit të tij. Shqiptarët duhet të bindeshin, duhej të luanin rolet e tyre në atë komedi. Sepse përndryshe, përballeshin me një shtypje të egër.
Gazetarja: Pra, e shihnit si një mizanskenë të madhe politike…
Daum– Nuk ishte realiteti ai që shihja, por një vepër teatrale… M’u desh goxha kohë për të kaluar përtej asaj “perdeje” dhe për të parë çfarë fshihej prapa asaj skene të rrezikshme për shqiptarët për shkak të terrorit që ushtrohej nga regjimi ndaj çdo njeriu normal, çdo punëtori të ndershëm në Shqipëri.
Gazetarja: Ndërmjet viteve 1987 dhe 1990, cilin udhëheqës të regjimit keni takuar? A jeni takuar me Ramiz Alinë dhe cili është opinioni juaj për të si pasues i Enver Hoxhës?
Daum: Unë jam diplomat, i tillë isha dhe atëherë, kështu që natyrisht më është dashur të takohem me zotin Ramiz Alia dhe me të gjithë ministrat, me të gjithë ata që kishin një funksion me përgjegjësi. Opinionet e mia personale ishin të parëndësishme, por sjellja e zyrtarëve, veçanërisht e Presidentit Alia, ishte pjesë e asaj komedie që luhej. Qeveria shqiptare përpiqej të krijonte dhe të transmetonte imazhin e një shteti normal dhe të një qeverie normale. Më është dashur të paktën një vit që të kuptoja realitetin pas asaj që thuhej dhe asaj që veprohej, dhe çfarë njerëzit detyroheshin të duronin.
Gazetarja: A e konsideroni atë më të moderuar se Enver Hoxhën?
Daum: Po, natyrisht. Mendoj se janë shumë pak njerëz në botë që nuk janë më të moderuar se Enver Hoxha. Enver Hoxha ishte një vrasës masiv; ai vrau…Unë do të thoja, nëse do të duhej, ai do të vriste edhe nënën e tij. Gjatë luftës, ndoshta mund të ketë qenë një lider i respektuar i rezistencës, nuk mund ta gjykoj këtë. Por sapo erdhi në pushtet, u bë i pamëshirshëm. Dhe nga ato që kam lexuar dhe dëgjuar, jeta njerëzore për të nuk vlente më shumë se ajo e një mize apo e një milingone.
Gazetarja: Çfarë doni të thoni me atë se ai mund të vriste edhe nënën e tij?
Daum: Mendoj se ka një listë të gjatë njerëzish të cilët ai i ka çuar personalisht drejt vdekjes – jo duke ua prerë fytin vetë, për këtë kishte xhelatët e tij – por duke dhënë urdhra për t’i vrarë. Dhe duke dërguar nëpër kampe si ato të përqëndrimit me dhjetëra mijëra shqiptarë që mendonin ndryshe, që besonin në Zot, për shembull,. Enver Hoxha është pa dyshim një nga diktatorët më të mëdhenj të shekullit XX dhe ndër më gjakatarët./TOP CHANNEL