Kryeqyteti rus u zgjua nga sulmet ukrainase me dronë në orët e para të së dielës. Disa ndërtesa në Moskë dhe periferitë e saj u dëmtuan si pasojë e shpërthimeve.
Si rezultat i sulmit, të gjitha aeroportet e Moskës pezulluan përkohësisht operacionet
Banorët në qytetin periferik të Zelenograd raportuan se dëgjuan shpërthime. Në fshatin Golube, vendasit thanë se shpërthimet ishin aq të fuqishme sa muret dhe dritaret u drodhën në shtëpitë e tyre.
Në rajonin e Kalugës, banorët raportuan gjithashtu se kishin dëgjuar fluturime të zhurmshme të dronëve dhe pretenduan se sistemet e mbrojtjes ajrore ishin aktivizuar.
Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, pretendoi se mbrojtja ajrore ruse se rrëzoi të paktën 16 dronë që po shkonin drejt qytetit.
Më vonë, Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse rrëzuan 142 mjete ajrore pa pilot gjatë natës, përfshirë 27 mbi rajonin e Moskës.
Megjithatë siç ndodh zakonisht, autoritetet ruse nuk e publikuan shkallën e dëmit të shkaktuar.
Sulmet ukrainase vijnë pak kohë pasi në mediat ndërkombëtare u raportua se presidenti amerikan Donald Trump, kishte pyetur homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky nëse mund të sulmonte Moskën. Diçka e tillë u mohua nga presidenti amerikan, megjithatë Perëndimi po lëviz me shpejtësi për të furnizuar Ukrainën me sisteme armatimi me rreze të gjatë, që mund të godasin edhe brenda Rusisë.