Një degë ukrainase e një organizate ndërkombëtare të ekstremit të djathtë, e ndaluar në disa vende dhe me lidhje të dyshuara me shërbimet sekrete ruse, ka marrë përgjegjësinë për vrasjen tronditëse të një koloneli të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në mes të ditës në Kiev.
Javën e kaluar, kolonel Ivan Voronych u qëllua për vdekje nga një person i maskuar ndërsa po kalonte në një parking në kryeqytet. Pamjet e atentatit u përhapën me shpejtësi në mediat ukrainase, duke shkaktuar shqetësim të madh mes qytetarëve, sipas The Guardian.
Grupi ekstremist “The Base”, i krijuar fillimisht në SHBA dhe i përhapur nëpër disa vende, ka kohë që ofron shpërblime financiare për vrasje të synuara dhe akte sabotimi në infrastrukturën kritike të Ukrainës.
The Base është themeluar nga Rinaldo Nazzaro, një ish-kontraktor i Pentagonit, për të cilin ekzistojnë akuza serioze se është agjent i shërbimeve sekrete ruse. Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar gjithashtu se Rusia po përdor qytetarë të zakonshëm për operacione sabotuese kundër shtetit ukrainas.
Një deklaratë e publikuar në një kanal në Telegram, që mendohet të jetë i lidhur me celulën ukrainase të grupit, e quajti vrasjen e kolonelit “vetëm fillimin”.
Aty thuhej: “Do ta vazhdojmë luftën derisa drejtësia të fitojë.” Postimi lavdëronte autorët e atentatit dhe shpërfillte etiketimin si “terroristë apo ekstremistë”. Po ashtu, kanali kërcënoi me atentate të tjera ndaj figurave publike në Ukrainë, duke thënë: “Gjuetia vazhdon!”
Ekspertë të anti terrorizmit, pasi shqyrtuan postimet, thanë se ato duken autentike dhe përfaqësojnë një përshkallëzim serioz të aktivitetit të grupit.
Të dielën, SBU njoftoi se kishte neutralizuar dy personat përgjegjës për atentatin, të cilët sipas tyre vepronin me urdhër të “shërbimeve speciale ruse” dhe ishin pajisur me armë për të kryer vrasjen.
Media të tjera ukrainase raportuan se atentatorët ishin shtetas të huaj të lidhur me grupe kriminale dhe kishin mbështetje të drejtpërdrejtë nga inteligjenca ruse.
Megjithëse “The Base” nuk ishte pozicionuar më parë publikisht në përkrahje të qëllimeve gjeopolitike të Kremlinit, kjo duket se ka ndryshuar kohët e fundit.
Në prill, grupi deklaroi se kishte nisur një “kryengritje” në rajonin perëndimor të Ukrainës, Zakarpattia, për krijimin e një “shteti etnik të bardhë”. Që atëherë, në llogaritë e tyre në Telegram janë publikuar video të zjarreve të qëllimshme ndaj mjeteve ushtarake dhe policore, si dhe infrastrukturës elektrike.
Nazzaro, që jeton në Shën Petersburg me bashkëshorten ruse, nuk pranoi të komentojë rreth ngjarjes apo degës ukrainase të grupit, duke thënë vetëm: “Nuk kam asnjë përfshirje personale dhe nuk e di kush është përgjegjës.”
Edhe pse Nazzaro mohon çdo lidhje me shërbimet sekrete ruse, provat digjitale tregojnë të kundërtën: rekrutimi dhe komunikimi i grupit mbështeten në infrastrukturën digjitale ruse, duke përfshirë email-e në Mail.ru – një platformë e kontrolluar nga një aleat i ngushtë i Putinit.
Megjithatë, deri tani, Nazzaro nuk është akuzuar zyrtarisht në SHBA, ndonëse ai ka qenë subjekt hetimi nga FBI dhe është përmendur si një “çështje” nga zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë amerikane.