TIRANË- Dy të arrestuarit për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, Petrit Çakrri dhe Fation Bushgjokaj, janë transferuar në paraburgimin e burgut 313 në Tiranë.
Ky vendim vjen pas masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Dibrës ditën e djeshme. Ky vendim sipas autoriteteve është marrë për çështje sigurie, duke shmangur paraburgimin e Burrelit.
Sipas autoriteteve te burgjeve, ky vendim është marrë, për shkak të mundësisë dhe rrezikut për arratisje të të paraburgosurve, apo një hakmarrje e mundshme ndaj tyre.
Sakaq, 23-vjeçari nga fshati Zenisht u rrëmbye, u mbyt me litar dhe më pas trupi i pajetë i tij u hodh në shpatin e liqenit të Shkopetit.
Ngjarja e rëndë ndodhi me 8 korrik, ndërsa vijon puna për gjetjen dhe arrestimin e dy vëllezërve Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në krim bashkë me dy të arrestuarit.
Autoritetet dyshojnë se ata janë larguar jashtë vendit nëpërmjet kufirit me Kosovën, duke u shmangur ndjekjes penale në Shqipëri.