Deputetja e PS Zegjine Çaushi, përmes një videomesazhi në rrjetet sociale ka falenderuar kolegen e saj Maldrita Bardho, e cila u tërhoq për t’i lënë vendin në Kuvendin e Shqipërisë.
“E ndiej të nevojshme të falenderoj kolegen time, Maldrita Bardhon për vendimin e guximshëm dhe befasues, që më bën edhe më shumë të përgjegjshme për detyrën time në Kuvendin e Shqipërisë. Maldrita!
Je fisnike, model per mua e çdo politikan të ri!”, thotë Çaushi ne mesazhin e saj
Më tej deputetja socialiste ju jep një përgjigje të gjithë atyre që e kanë sulmuar dhe anatemuar ditët e fundit. “Unë, jam një prej mijëra vajzave dhe djemve të lindur e rritur larg qendrave urbane, por me të njëjtën dëshire e vlerë si çdo i ri që ka lindur në qytete, madje ndoshta me më shumë dëshirë për të punuar e kontribuar, me më shumë vullnet për sakrificë, se ky është një nga tiparet që na karakterizon.
Jam anatemuar në banaqet e studiove televizive, si dhe nga gojët e shqyera të politikanëve humbës, qe ulërasin emrin tim e të të rinjve të tjerë, për të mbuluar zullumet e tyre, por kjo as me tremb e as me dekurajon për te vazhduar rrugetimin që kam nisur”, thotë e reja nga Roskoveci.
Mesazhi vijon me atë se çfarë do të bëjë deputetja 26-vjeçare ne Parlament:
“Se kush jam dhe çfarë do bëj në parlamentin shqiptar, këtë tja lëmë kohës, se falë Zotit, edhe për shkak të moshës unë kam boll kohë përpara, boll kohë për të mësuar, punuar, gabuar, ndrequr e mbi të gjitha për t’u frymëzuar. Për tu frymëzuar nga njerez që më kane dhënë dorën e kanë besuar tek unë, si veçanërisht Edi Rama”.
Zegjineja nuk ka harruar “të preferuarin” e saj, kreun e grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi.
“Gazo, je politikani më i dështuar, hileqar e vulgar deri aty që asnjë burrë nuk bëhet dot, por ti po. Politikani i vetëm që të parët që nuk të honepsin dot, janë kolegët e tu e më pas të gjithë demokratët. Ju ke ngelur në derë e s’po dijnë se si të të heqin qafe se i shkaterrove partinë dhe i ke nëpërkembur dinjitetin”, i drejtohet Zegjineja Bardhit.
Në fund të mesazhit edhe një akuzë direkte për Bardhin, të cilit i kujton zgjedhjet e 2021 në Elbasan.
“Sa për vjedhje votash, të kam gati një analizë plot me fakte të vërteta, se si dole deputet ti Gazo në 2021 nga qarku i Elbasanit dhe votat e kujt gllabërove në numërim, por kjo i perket një serie tjetër, e mbyll mesazhin e saj Zegjine Çaushi.