Pas një pritjeje të gjatë, Luka Modric është zyrtarisht lojtar i Milanit. Mesfushori kroat, i cili sapo ka mbyllur aventurën e tij të gjatë me Real Madridin dhe pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube, ka mbërritur në Milano për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.

Transferimi është finalizuar me sukses nga Igli Tare, drejtori sportiv i klubit kuqezi, duke i dhënë Milanit një emër të madh për mesfushën, pas afrimit të Ricci dhe në pritje të përforcimeve të tjera.
Modric mbërriti në Milano mes entuziazmit të tifozëve, fillimisht në aeroportin e Malpensës rreth orës 11:20, ku u prit nga gazetarë dhe fansa. “Jam shumë i lumtur që jam këtu. Më presin sfida të mëdha”, ishin fjalët e para të kroatit, duke dhënë një sinjal të qartë për ambiciet e tij në fanellën kuqezi.

Pas zbritjes në Itali, Modric iu drejtua klinikës “La Madonnina” për të kryer vizitat mjekësore. Më pas, ai u zhvendos në ambientet e “Casa Milan” për të firmosur kontratën e tij të re, që do ta mbajë të lidhur me klubin deri më 30 qershor 2026.
Modric do të mbajë fanellën me numrin 14, të cilën sezonin e kaluar e kishte veshur Tijjani Reijnders, tashmë lojtar i Manchester City.

Pasi përfundoi vizitat, firmën dhe takimet me drejtuesit e klubit, Modric është kthyer menjëherë në Zagreb për pushime të shkurtra, ndërsa do t’i bashkohet skuadrës së Massimiliano Allegrit në fillim të muajit gusht për fazën përgatitore.