Sikurse në gjykata që janë mbushur me stok dosjesh, edhe Shërbimi Përmbarimor Shtetëror është prekur nga i njëjti fenomen.
Gati 49 mijë dosje po evadohen nga përmbaruesit mes të cilave gjoba të pashlyera që prej kohës së pandemisë. Në këtë stok janë edhe gjobat e falura nga qeveria që nuk ishin ekzekutuar nga institucionet.
Konkretisht, 122 qytetarë vazhdojnë ende të jenë borxhlinj të shtetit mbasi nuk kanë shlyer gjobën e vendosur nga policia e shtetit gjatë pandemisë së Covid 19.
“Në bazë të këshillimeve dhe orientimeve që ka marrë çdo përmbarues, është këshilluar që në zbatim të Kodit të Procedurës Civile, ne duhet t’i vëmë në gjitha gjitha dosjet në civile”, u shpreh Ergys Qirici, drejtor i shërbimit përmbarimor.
Gjatë intervistës për Top Channel, kreu i Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, thotë se stoku është krijuar nga gjobat e ekzekutuara, shumica penale të urdhëruara nga prokuroritë si edhe fatura të shpenzimeve gjyqësore. Detyrimet nuk janë shlyer për shkak të mos gjetjes së adresave, por edhe pamundësisë financiare, ndërkohë që me faljen e gjobave nga qeveria, përmbarimi po I heq emrat e borxhlinjve nga lista e vet.
“Kemi menduar që në fillim të evidentojmë cilët janë personat, që përfitojnë nga ligji i amnistisë i miratuar vjet, më pas të marrim të gjithë hapat proceduriale për ekzekutimin e këtyre dosjeve”, shpjegon Qirici.
Kreu i Shërbimit Përmbarimor shpjegon natyrën e stokut të dosjeve që po evadohen.
“Janë gjithsej 49 mijë çështje të ndryshme, ku ka me palë kreditor e debitor shtetin, kur ka mbimarrëdhënie juridiko-civile ndërmjet palëve, ashtu sikurse ka edhe urdhrat e mbrojtjes”, thotë ai.