Karlo Ançeloti zbuloi listën e tij të dytë si trajner i kombëtares së Brazilit, duke lënë jashtë të gjithë lojtarët e Real Madrid, me të cilët jetoi sezone triumfi në vitet e fundit.
Tekniku italian nuk ftoi asnjë prej Vinucuis Junior, Rodrygo, Eder Militaio apo Hendrik për dy sfidat e radhës në kualifikueset e Botërorit 2026 në zonën e Amerikës së Jugut.

Pesë herë kampionët e botës do të luajnë më 5 shtator në “Marakana” kundër Kilit dhe më 10 shtator në transfertë kundër Bolivisë.
Përveç lënies jashtë të “madrilenëve”, Ançeloti ka zhgënjyer pritshmëritë e mëdha të mediave braziliane për Neymar.

Sulmuesi duhet të presë ende për rikthimin e tij te “Selecao”, ndërsa objektivi i tij për të luajtur në finalet e Kupës së Botës ka marrë një tjetër goditje të rëndë.

Sa I përket lojtarëve të grumbulluar, trajneri italian ka dërguar ftesa për shumë prej futbollistëve që po shkëlqejnë në Europë, përfshirë edhe disa veteranë, si portieri Alison, mbrojtësit Marquinos e Alex Sandro, apo mesfushori Kasemiro.

Nuk mungojnë talentet e reja të futbollit brazilian, përfshirë dy sulmuesit e Chelsea, Estevao dhe Joao Pedro.

Po ashtu, Ançeloti ka kthyer në kombëtaren e Brazilit, mesfushorin e Uest Ham, Lukas Paqueta dhe sulmuesin e Tottenham, Richarlison.
Në dy ndeshjet e para si trajner i “Selecao”, Anceloti ka marrë një fitore dhe një barazim, ndërsa skuadra e tij e ka siguruar kualifikimin për në finalet e “Botërorit 2026”.