Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Angli (NHS) ka nisur sot zbatimin e një programi të ri vaksinimi kundër gonorresë, i pari në botë në llojin e tij, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e infeksionit seksualisht të transmetueshëm që po shfaq rezistencë në rritje ndaj antibiotikëve.
Programi është shpallur më herët këtë vit nga NHS England dhe parashikon që grupet me rrezik të lartë të nisin të vaksinohen nga fillimi i gushtit. Tani, Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social (DHSC) ka konfirmuar se klinikat e shëndetit seksual do të ofrojnë vaksinën falas duke nisur nga sot.
Ministrja për shëndetin publik dhe parandalimin, Ashley Dalton, e cilësoi fillimin e programit si “një hap të rëndësishëm përpara në parandalimin e një infeksioni që ka arritur nivele rekord”.
“Kjo vaksinë, pjesë e një programi të parë në botë, do të ndihmojë në uljen e rasteve të reja të infeksionit dhe në përballimin e drejtpërdrejtë të kërcënimit në rritje nga rezistenca ndaj antibiotikëve,” tha ajo.
“Inkurajoj të gjithë ata që janë të kualifikuar të vaksinohen jo vetëm për të mbrojtur veten, por edhe partnerët e tyre seksualë.”
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2023 u regjistruan rreth 85 mijë raste të gonorresë në Angli shifra më e lartë që nga viti 1918 dhe tre herë më shumë se në vitin 2012.
Vaksina do të ofrohet falas për personat që konsiderohen me rrezik më të lartë, përfshirë meshkujt homoseksualë dhe biseksualë me histori të marrëdhënieve seksuale të shumta dhe/ose infeksione bakteriale seksualisht të transmetueshme në 12 muajt e fundit.
Vaksina është bazuar në një vaksinë ekzistuese, 4CMenB, e përdorur për të mbrojtur kundër sëmundjes meningokokale B. Studimet kanë treguar se vaksina është efektive në masën 32.7% deri në 42% ndaj gonorresë pra nuk ofron mbrojtje të plotë, por ndihmon ndjeshëm në reduktimin e rrezikut të infektimit.
Sipas një analize të udhëhequr nga Imperial College London, programi mund të parandalojë deri në 100 mijë raste të gonorresë në 10 vitet e ardhshme dhe t’i kursejë sistemit shëndetësor mbi 7.9 milionë paund.
Dr. Sema Mandal, epidemiologe pranë Agjencisë për Sigurinë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, deklaroi se vaksinimi do të ofrojë mbrojtje të domosdoshme për ata që kanë më shumë nevojë.
“Është inkurajuese që, krahas kësaj vaksine, shërbimet e shëndetit seksual do të vazhdojnë të ofrojnë edhe vaksina të tjera të rëndësishme për ata që janë të pranueshëm për to,” tha ajo.
“Sëmundjet seksualisht të transmetueshme nuk janë thjesht të bezdisshme ato mund të kenë pasoja serioze për shëndetin tuaj dhe të partnerëve tuaj seksualë. Prandaj, nëse ju ofrohet vaksina, ju nxis me gjithë zemër ta pranoni.”
Gjatë vizitës për vaksinën kundër gonorresë, pacientëve do t’u ofrohet gjithashtu mundësia të vaksinohen edhe kundër mpox (ish-virusi i lisë së majmunëve), HPV (virusi i papillomës humane) dhe hepatitit A dhe B.