
Franca ka thirrur për sqarime ambasadorin amerikan në Paris, Charles Kushner, pasi ky i fundit publikoi një letër të hapur drejtuar presidentit Emmanuel Macron ku akuzon qeverinë franceze se nuk ka bërë mjaftueshëm për të frenuar dhunën kundër hebrenjëve. Në letrën e botuar në Wall Street Journal, Kushner, i cili është hebre dhe babai i Jared Kushnerit – bashkëshorti i Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump – shkruan se antisemitizmi në Francë është rritur ndjeshëm që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
“Çdo ditë në Francë ndodhin sulme ndaj hebrenjve në rrugë, shkollat dhe sinagogat dhunohen, ndërsa bizneset e hebrenjeve vandalizohen,” shkruan ai, duke i kërkuar Macronit zbatim më të ashpër të ligjeve kundër krimeve të urrejtjes dhe ndalimin e deklaratave që, sipas tij, nxisin antisemitizëm.
Kushner kritikoi gjithashtu qëndrimin e Parisit për njohjen e një shteti palestinez, duke thënë se deklaratat e tilla “i japin zemër ekstremistëve, ushqejnë dhunën dhe rrezikojnë jetën e hebrenjve në Francë”.
Ministria e Jashtme franceze reagoi menjëherë, duke i cilësuar akuzat si “të papranueshme” dhe theksoi se ambasadori do të paraqitet për të dhënë sqarime mbi komentetet e tij. “Franca i refuzon me vendosmëri këto pretendime. Ambasadorët nuk lejohen të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të një vendi pritës, siç përcakton Konventa e Vjenës e vitit 1961,” thuhet në deklaratën e Parisit zyrtar.
Letra e Kushner vjen disa ditë pas një komunikimi të ngjashëm të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu drejtuar Macronit, ku Kreu I Qeverise Izraelite akuzonte presidentin francez se po ushqente antisemitizmin me mbështetjen për njohjen e Palestinës.
Franca, që ka komunitetin më të madh hebre në Europën Perëndimore – rreth gjysmë milioni persona – por edhe një komunitet të madh mysliman, ka raportuar rritje të ndjeshme të incidenteve të urrejtjes që nga fillimi i luftës Izrael–Hamas.
Macron, i cili ka dënuar hapur antisemitizmin, ka paralajmëruar se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez gjatë një mbledhjeje të OKB-së në shtator, duke iu bashkuar mbi 147 vendeve që e kanë ndërmarrë ose shpallur një hap të tillë.