Ndoshta me të vërtetë do të largohet, por detyrën do ta bëjë deri në fund.
Jo vetëm kaq, por Kristian Asllani vazhdon me veçantinë e tij, atë që nuk humbet kurrë një penallti.

Mesfushori I kombëtares shqiptare shënoi sërish, këtë herë në miqësoren verore që Interi e fitoi 7-2 ndaj skuadrës U23 të klubit.
Lojtari 23-vjeçar ishte sërish titullar, dhe luajti pjesën e parë, ndërsa goditja e tij ishte e saktë për rezultatin e përkohshëm 3-2.
Vlen të theksohet se Asllani gjithmonë I gjuan penalltitë sikur t’i ketë fotokopje.

Nuk diskutohet që goditjet janë me të djathtën, dhe në shumicën e herëve janë të forta, në këndin e portës dhe poshtë.

Po kështu, shumica janë në krahun e djathtë të tij, ose në të majtë të portierit, ndonëse ka disa raste që sferën e ka dërguar në të majtën e vet.

Në karrierë, ai ka 11 penallti, dhe që të gjitha të shënuara.

E ka nisur në shtator 2018 në kampionatin italian U17 me Empolin në një fitore ndaj Sasuolos.

Ka vazhduar po në kampionatin U17 me gol ndaj Fiorentinës e dy herë kundër Juventusit, më pas në nivelin e Shpresave, apo siç I quajnë në Itali, Primavera, në fitoren 2-1 kundër Sasuolos.

Me ekipin e Shpresave të Empolit ka realizuar dy gola me 11-metërsha në Championsin për të rinj, në fitoren 5-0 kundër Crvena Zvezdës së Beogradit dhe në barazimin 1-1 kundër Domzhales nga Sllovenia.

Më pas, ka ardhur goli në miqësoren që Shqipëria e fitoi 2-0 kundër Bullgarisë në “Arenën Air Albania” në nëntor 2022.
Tre rrjetat e tjera nga pika e bardhë janë për Interin.

Me zikaltërit, siguroi fitoren 1-0 ndaj Veronës në “San Siro” në Serinë A sezonin e kaluar.
Po ashtu, shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 në fushën e Torinos edicionin e shkuar në kampionatin italian, ndërsa tani erdhi rrjeta në miqësoren kundër ekipit U23 të Interit.