Tani është zyrtare. Kristjan Asllani largohet nga Inter pas tre sezonesh, duke zgjedhur Torinon për të vazhduar karrierën e tij sërish në Serinë A.
Mesfushori kuqezi kishte arritur më parë marrëveshjen me klubin “granada”, që më pas gjeti akordin edhe me Inter për të marrë shërbimet e 23-vjeçarit. Torino i plotësoi Kristjan Asllanit kërkesat financiare, që bllokuan transferimin e tij te Bolonja, që më parë kishte arritur dakordësinë me klubin zikaltër.
Mediat italiane kanë zbuluar edhe detajet e këtij transferimi. Futbollisti kalon te skuadra torineze me formulë huazimi të paguar 1.5 milion euro, ndërsa në fund të sezonit do të paguhen edhe 12 milion euro të tjera për blerjen përfundimtare të kartonit.
Vetë Asllani do firmosë një kontratë 3 vjeçare, nga e cila do të fitojë rreth 2 milion euro në sezon bashkë me bonuset për arritjet sportive personale dhe të ekipit. Në këtë mënyrë ka marrë fund telenovela e gjatë e merkatos për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare.
Transferimi te Torino mund të rezultojë një lëvizje e duhur në karrierën e Kristian Asllanit.
Pas miqësoreve të fundit në vigjilje të sezonit të ri të Serie A, futbollisti kishte kuptuar se nuk do të gjente hapësira me Inter, ndërsa te skuadra e drejtuar nga Baronio, ai do ketë mundësi të luajë me vazhdimësi.
Te Torino, Kristjan Asllani do të gjejë futbollistin tjetër të kombëtares kuqezi, Ardian Ismajli, që gjithashtu u transferua nga Empoli në këtë sesion të merkatos së verës.