Bashkimi Evropian ka marrë vendimin për të pezulluar kundërtarifat ndaj mallrave amerikane, një veprim që synon t’i japë fund luftës tregtare midis dy anëve të Atlantikut.
Sipas La Repubblica, ky vendim konsiderohet si hap për të qetësuar marrëdhëniet me SHBA-në.
Burime nga brenda Komisionit Evropian thonë se udhëzimet e presidentes Ursula von der Leyen kanë qenë të qarta. Sipas saj, duhet besuar te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të shmanget çdo provokim që mund të ndikojë në prishjen e marrëdhënieve.
Kjo lëvizje strategjike shihet si një përpjekje për të mbajtur hapur negociatat dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
Komiteti për barrierat doganore, që ka kompetencën për të zbatuar ndryshimet në tarifat e propozuara nga Komisioni, do të pezullojë masat e hartuara muajin e kaluar. Kjo hap rrugën për finalizimin e një marrëveshjeje të përbashkët. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së re është se pritet të përfshihet ulja e tarifave për makinat evropiane në 15%, nga 27.5% që ishin vendosur më parë nga administrata Trump, si dhe ulja e tarifave për barnat. Për industrinë e avionëve, tarifa do të bëhet zero.
Megjithatë, pikë diskutimi mbetet çështja e tarifave për çelikun dhe aluminin, ku SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të fortë.
Pavarësisht kësaj lëvizjeje, disa zyrtarë të lartë janë skeptikë, duke theksuar se pezullimi i tarifave është i vlefshëm për 6 muaj.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara duken të vendosura të shfrytëzojnë politikën e tyre tregtare. Vetëm nga prilli në gusht, tarifat kanë sjellë në arkat e qeverisë amerikane 152 miliardë dollarë, pothuajse dyfishi i shifrës së vitit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu po rihapin bisedimet me Kanadanë dhe Zvicrën, të cilat janë prekur rëndë nga tarifat amerikane. Kjo lëvizje shihet si një përpjekje nga administrata Trump për të rregulluar marrëdhëniet me aleatët kryesorë.