Nga Jakin Marena

Në Partinë Demokratike, që nga lidershipi e deri tek drejtuesi më i thjeshtë në bazë, janë me pushime të gjata! Kjo është shumë e sigurtë.
Sezoni i plazhit për ta ka filluar që nga mesi i muajit korrik, dhe po vijon me të njejtin intensitet dhe tani në gusht, për t’u mbyllur nga fundi i shtatorit.

Kështu ka ndodhur për vite e vite me radhë, dhe sidomos pas ‘sforcimit’ të garave elektorale, siç është rasti dhe i zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti, ku pushimi ka qënë më se i nevojshëm. Madje me ‘valë’ të gjata, për të gjetur freskinë, pas një fushate zgjedhore të ‘nxehtë’!

Anipse PD ka shënuar humbjen e katërt radhazi përballë PS të drejtuar nga Edi Rama, në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, duke iu ‘dorëzuar’ një mandati tjetër në opozitë, lidershipi i PD ka nevojë për pushime! Janë lodhur liderët demokratë, sidomos para fushatës teksa bëheshin listat, për t’i mbushur mendjen Berishës që të jenë në listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë dhe për të qënë të sigurtë për mandatin e ri kuvendor.
Njerëzit rreth Doktorit, ata qëndrestarët në fillim, por dhe ata që ‘tradhëtuan’ Bashën, ia dolën që të jenë në Kuvend dhe këtë radhë, pavarësisht se shënuan një rezultat rrënues në këto zgjedhje, duke marrë e gjithë opozita e bashkuar vetëm 50 mandate deputeti, rezultati më i keq në tërë periudhën postkomuniste për partinë e parë opozitare! Përballë Ramës që mori më 11 maj plot 83 mandate deputeti si asnjëherë tjetër, plus 3 mandate të aleatit hipotetik PSD, për të pasur më në fund në Kuvend shumicën e cilësuar për miratimin e ligjeve në funksion të integrimit në BE!
Me mandatin e deputetit në ‘xhep’, lidershipi i PD ka ‘zbarkuar’ në bregdet, kush tek vila e tij personale, kush tek vila e ‘kushuririt’ apo ‘vjehrrit’, dhe po marrin rreze e po freskohen në këto ditë të nxehta vere, për t’u përgatitur rëndshëm për betejën opozitare të vjeshtës.
Pasi dhe kreu i PD, Berisha, ka paralajmëruar më se njëherë se në këtë vjeshtë do të bëhet nami, ‘revolucioni’ do të përmbysë rregjimin e Ramës, i cili sipas tij ‘nuk do të ketë vrimë ku të futet’! Dhe pikërisht për këtë ‘ditë kiameti’ për Edi Ramën dhe qeverisjen e tij, deputetët dhe lidershipi i PD po përgatiten fort, duke ‘trashur’ madje dhe lëkurën në diell, për të qënë të padepërtueshëm dhe nga akuzat për ‘trashje zëri’ në funksion të kapjes së ndonjë pazari, apo për të mirat e tjera materiale që nuk u kanë munguar asnjëherë në këto 12 vite opozitë. Për më tepër disa syresh janë bërë dhe me lekë, më shumë se sa në kohën kur kanë qënë në pushtet, siç e kanë pranuar dhe vetë apo është bërë me dije nga akuzat që herë pas here ata bëjnë ndaj njëri tjetrit brenda partisë, kur kanë halle politike apo për t’i rënë në sy Doktorit!

I vetmi që i ka bërë ‘haram’ pushimet dhe ka mbetur në Tiranë është kreu i PD, Berisha! I cili qëndron stoik në idenë e tij të ‘denoncimit të masakrës zgjedhore’ sipas tij, dhe del përditë në orën 12.00 para mediave, për të komunikuar me publikun, përmes videove dhe disa tabelave, ripublikimin e vendimeve dhe të ligjeve të miratuara nga qeveria e Ramës, por që për Berishën kanë qënë elementi bazë i fitores së PS në zgjedhjet e 11 majit. Duke shtuar sikurse e di vetë Doktori dhe akuzën për blerjen dhe vjedhjen e votës. Pavarësisht se PS mori 320 mijë vota më shumë se sa opozita e bashkuar, e përkthyer në 32 deputetë më shumë! Por duhet thënë se arithmetika e Berishës mbetet e pashpjeguar, pasi kreu i PD ka një realitet të vetin për matjen!

Por Berisha qëndron në Tiranë dhe për të bërë atë paraqitjen në SPAK, ku lë shënimet e rastit, i këput ndonjë akuzë me leje dhe Altin Dumanit, si dhe ndjek nga larg turizmin në vend, herë del bllof e herë sajon me dëshirë, teksa publikon video që s’kanë lidhje me vende, vite dhe ngjarje të këtij sezoni turistik, por që Berishës i duhen për të mbushur ditën.
Dikush mund të thotë se për Berishën, tashmë në moshën 81 vjeçare, kanë përfunduar kohët e ‘arta’ të rekordeve të qëndrimit në ujë, jo notit të kuptohemi! Dhe kjo mund të jetë! Mosha e bën të veten, e mbi të gjitha Doktori më shumë se sa hallin e rekordeve në ujë, ka atë të ‘rekordit’ për të mbajtur drejtimin e PD, të kthimit të saj në një pronë të veten me ‘hipotekë’, si dhe ka edhe halle drejtësie në kurriz, pasi është familjarisht nën hetim për korrupsion dhe akuza të tjera.

Por dikush mund të thotë se Berisha nuk ka ku shkon për të kaluar vapën e kësaj vere, pasi vila e tij në Gjirin e Lalzit është nën sekuestro apo e konfiskuar për shkak të aferës nën hetim të “Partizanit”, dhe nuk lejohet përdorimi i saj për nevoja personale, duke qënë vijimësisht bosh. Kalonte goxha kohë aty, nën fresk. Kishte dhe Ilir Metën asokohe ngjitur me vilë, ku mund të shkëmbente ndonjë muhabet, në ato momente kur ish presidenti nuk ishte gërxheve dhe pellgjeve duke shëtitur Shqipërinë.

Sikur ta dinte i ziu, se do të mbyllej në burg nën akuzat e korrupsionit, ku qëndron dhe sot e kësaj dite, prandaj kishte marrë malet dhe nuk e zinte vendi vend!
Por që të kthehemi tek Berisha, i cili është i vetmi në PD që qëndron në selinë buzë Lanës në Tiranë, ajo që mund të themi është se ai ka mundësinë që të dalë edhe jashtë vendit, në shtëpitë që kanë vajza dhe dhëndëri në disa kryeqytete të Evropës. Të deklaruara nga vetë ata publikisht, nuk po i shpikim ne këto fakte. Por disa janë me rrezik. Si Budapesti, ose ‘Parisi i Lindjes’, i mbështetur mbi lumin Danub, i cili ndonëse mund t’i ofrojë Berishës shansin për të ‘thyer” rekordin e ish liderit komunist kinez Mao Ce Dun, i cili kaloi lumin Jance, paraqet një problem! Berisha nuk di not, dhe nuk ka ku t’i vendosë këmbët në tokë për të bërë notin sipas ‘stilit’ të tij, pasi Danubi është i thellë, e thellësia fillon direkt nga bregu, nuk ka as rojet e shumta rrotull që ta ruajnë dhe ta mbajnë në ‘hava’! Kështu që nuk lëviz nga Tirana, është mirë aty me sa duket!
Megjithëse Berisha është në Tiranë, e del çdo mesditë para mediave për të kontestuar zgjedhjet e 11 majit, ai nuk e sheh të mjaftueshëm mbulimin mediatik në këtë periudhë vere. Prandaj vetë ai ‘sponsorizon’ herë pas here ndonjë ‘sherr’ me Belind Këlliçin, të cilit i lëshon njerëzit më të afërt të tij për ta sulmuar, thjeshtë e vetëm për të treguar se ka fuqinë sërish në PD, dhe për të lëshuar sinjale që të rrinë ‘sus’ të tjerët po në PD.

Por argëtimin e vërtetë Berisha e gjen pikërisht në lajmet që përhap po vetë për hapjen e PD në shtator, debatin brenda partisë që ‘pret’ në këtë muaj ‘revolucionesh’ të pashfaqura, si dhe kërkesat për largimin e tij nga drejtimi i Partisë Demokratike. Këtu gajaset fare Berisha. Madje kur i thonë se Ervin Salianji, i cili veç burgut për ‘Babalen’ ia doli dhe të mbillte flokët e të bënte hundën, për veshët ka shumë diskutime dhe palët janë gati baraz me pro dhe kundër, pra Salianji duhet që në shtator të udhëheqë grupin për reformimin e PD dhe ndryshimit të lidershipit të kësaj partie për të qënë dinjitozë përballë Ramës, Berisha nuk përmbahet më nga e qeshura! Argëtim i rehatshëm në këtë periudhë vere ku të gjithë po mundohen ta kalojnë sa më mirë, për të shtyrë ditët deri në fillimin e punimeve të Parlamentit të ri! Pra garë për t’i marrë pronën Berishëve!

Vetëm kur e mendon Salianjin përballë tij, në garën për kryetar të PD, Berisha argëtohet. Pasi e ka thënë qartë se drejtimin e kësaj partie e ka mision, e s’ka nen statuti që e ndryshon vendimin e tij. Për më tepër që tashmë në PD kanë rënë në hall për pozicionin e vetë Salianjit në parti pas daljes nga burgu, pasi Berisha ka thënë që do të jetë nënkryetari i grupit parlamentar! Ndërkohë që Salianji nuk është as deputet dhe sipas vendimit të gjykatës nuk ka të drejtë të kandidojë as në zgjedhjet e vitit 2029! Duke qënë deri më 2033 jashtë Parlamentit, edhe sikur Berisha të jetë i ‘vdekur’ për ta futur në Kuvend!

Zyrtarët e PD afër Berishës nuk guxojnë t’ia thonë se Salianji nuk është deputet, kështu që i sapodalë nga burgu, Ervini i shkretë, me gjithë ‘remontin’ e plotë fizik nëpër qendrat estetike sa kohë që ishte në burg ku kishte kohë boll, është i detyruar të zhduket nga qarkullimi dhe të shijojë pushimet, të marrë dhe rreze e të freskohet në det, bashkë me njerëzit më të dashur që ka rrotull, të cilët ‘sakrifikuan’ gjatë periudhës që ai vuante dënimin në qelitë e burgut të Fierit!

Për hir të së vërtetës Salianji nuk ka dhënë asnjë deklaratë këto kohët e fundit, përjashtuar javën e parë sapo doli nga burgu, megjithëse po përpiqen ta vënë me zor e pa dëshirë përballë Berishës për postin e kreut të PD e të reformimit të partisë! Eshtë jo vetëm një situatë tepër e sikletshme për të por dhe e rrezikshme, pasi Berisha dihet se si vepron me të gjithë ata që e marrin seriozisht faktin që dhe mund ta sfidojnë për drejtimin e PD!
Me sa duket emrin e Salianjit e përmendin pikërisht ata që kërkojnë ta bëjnë ‘ushqim’ politik për Berishën, në mënyrë që të mos rrezikojë ndonjë post dytësor në këtë parti! Nuk është rastësi që emri i Salianjit si sfidant i Berishës nisi të dilte menjëherë pasi përfundoi ‘saga’ e lajmeve për mbjelljen e flokëve dhe operacionit plastik në hundë, i realizuar gjatë kohës që ka qënë në burg! Janë lajme të dala nga brenda PD. Me sa duket e duan të ‘pjekur’ Salianjin, ndaj e ‘ngacmojnë’ me këto iderat për të qënë rival të Berishës për postin e kryetarit në PD.

Kjo është situata e PD deri në fundin e shtatorit, kur të mbyllen pushimet e të fillojë ‘revolucioni’ i radhës për të ‘larguar regjimin e Ramës’. Berisha nuk lëviz nga Tirana. Po qëndron solid, pavarësisht temperaturave të larta të këtyre dy muajve të fundit! Ndërsa të tjerët po flladiten në bregdet. Si gjithnjë! Punët i kanë në vijë, janë deputetë, anipse populli demokrat do të përmbyllë 16 vite rresht, e ndoshta dhe më shumë, në opozitë! Por, tani kanë nisur të mendojnë dhe ata për vete. Po kalojnë ‘sinoret’ politike ku tentojnë jo pa sukses punësimin. Do mbijetojnë dhe ata!