Mbretëria e Bashkuar është mikpritësja e samitit të rradhës së procesit të Berlinit. Kështjella historike Hillsborough në Irlandën e Veriut do të bëjë bashkë ministrat e jashtem të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Europian, të mërkurën e 8 tetorit. Takim ky që i paraprin samitit të lidërve, i cili do të mbahet në Londër me 22 tetor
Sekretari i Jashtëm, David Lammy do të udhëheqë bisedimet që synojnë promovimin e paqes dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.
Në një deklaratë të qeverisë angleze thuhet se fokusi do të jetë tek bashkëpunimi dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, duke ndalur edhe tek cështjet e pazgjidhura të rajonit.
“Duke shfrytëzuar përvojën e Irlandës së Veriut, shpresojmë të mbështesim partnerët në Ballkanin Perëndimor për të kapërcyer sfidat e së kaluarës përmes pajtimit domethënës dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të begatë. Si pjesë e Planit për Ndryshim, kjo qeveri është e përkushtuar të forcojë partneritetet me Evropën, duke siguruar themele të forta të stabilitetit ekonomik, kufijve të sigurt dhe sigurisë kombëtar.”
Pjese bisedimeve do të jetë edhe forcimi i sigurisë kolektive të Europës, lufta kundër krimit të organizuar dhe bandave të trafikimit të njerëzve.
Nga zgjedhjet e vitit të kaluar, Britania e Madhe ka shtuar angazhimin dhe bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke zgjeruar Task Forcën e Përbashkët të Migracionit me Shqipërinë dhe Kosovën për të përfshirë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa pak javë më parë njoftoi regjimin e parë në botë të sanksioneve që synon migracionin e parregullt dhe kriminelët e trafikimit – përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor.
Takimi i ministrave të Jashtëm është pjesë e kryesimit nga Mbretëria e Bashkuar të Procesit të Berlinit në vitin 2025: forumi kryesor ndërkombëtar, i iniciuar nga Gjermania, dhe që bën bashkë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me vendet partnere europiane për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor./