India e ka cilësuar të pajustifikuar dhe të paarsyeshëm, kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump për tarifa doganore më të larta ndaj mallrave indiane, për shkak të blerjes së naftës ruse nga ky vend.
Në një deklaratë, një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, tha se SHBA-të e kishin inkurajuar Indinë të importonte gaz rus në fillim të konfliktit, “për forcimin e stabilitetit të tregjeve globale të energjisë”, shkruan BBC.
Ai tha se India “filloi të importojë nga Rusia sepse furnizimet tradicionale u devijuan në Evropë pas shpërthimit të konfliktit”.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan paralajmëroi se do të rriste tarifat doganore, duke thënë se Indisë “nuk i intereson se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga makineria ruse e Luftës”.
India është aktualisht ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse. Ajo është bërë një treg i rëndësishëm eksporti për Moskën pasi disa vende evropiane ndërprenë tregtinë kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Trump nuk specifikoi se cila do të jetë tarifa e re doganore, por ajo vjen vetëm disa ditë pasi ai zbuloi një taksë të madhe prej 25% ndaj Indisë.