Bordi drejtues i kompanisë Tesla ka miratuar një marrëveshje të re shpërblimi për shefin ekzekutiv Elon Musk, që përfshin 96 milionë aksione me një vlerë rreth 30 miliardë dollarë. Vendimi vjen pasi miliarderi kishte kërcënuar se do të largohej nga kompania nëse nuk do t’i jepej një pjesë më e madhe e aksioneve.
Sipas një dokumenti të depozituar të hënën, Tesla bëri të ditur se vendimi është miratuar nga një komitet i posaçëm i bordit, i përbërë vetëm nga kryetarja Robyn Denholm dhe anëtarja Kathleen Wilson-Thompson.
Pas rezultateve të dobëta të muajit të kaluar, Musk përsëriti kërcënimin për t’u larguar nga Tesla, pasi një gjykatë në Delaware kishte rrëzuar një paketë të mëparshme shpërblimi që do të kishte qenë më e madhja në historinë e SHBA-së.
Nëse kjo paketë rikthehet në fuqi nga Gjykata e Lartë e Delaware-it përmes apelimit, ajo do të rriste përqindjen e zotërimit të aksioneve të Teslës nga ana e Musk nga pak më pak se 13 për qind në mbi 20 për qind.
“Mbajtja e Elon është më e rëndësishme se kurrë më parë”, thuhet në një letër që kompania u ka dërguar aksionerëve të hënën.