Trendi turistik i këtij viti në Shqipëri shënon një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë, megjithatë, pavarësisht hapave të mirë në përmirësimin e infrastrukturës, turizmi në vendin tonë ka nevojë për përmirësime, trajnime dhe përfitim eksperience në shumë drejtime.

“Kjo është eksperiencë. Ne duhet të kalojmë etapa. Nuk mund ta bëjmë turizmin pa trajnuar njerëzit e duhur të bëjnë punën e duhur për të bërë atë që duhet bërë. Turizmin dhe hotelerinë nuk mund ta bëjë kushdo. Do ta bëjnë ata që e kuptojnë ç’është planifikimi kalendarik. Revenue management është profesion ajo që sheh big picture dhe afatgjatë. Kjo i mungon Shqipërisë”, shprehet agjenti turistik, Elvis Kotherja. Turizmi shqiptar, sidomos ai veror, vazhdon të ketë një planifikim sezonal dhe jo gjithëvjetor dhe kjo ndikon edhe në abuzime me çmimet.

“Sfida është sepse ne nuk kemi mënyrën e duhur për të bërë planifikim vjetor. Na mungojnë ata që bëjnë planifikimin. Hoteleria që mban peshën kryesore, nuk e sheh akomodimin në tërësi vjetore, por e shikojnë korrik gusht. Ka pasur abuzime me çmimet vitin që shkoi dhe kjo ka reflektuar. Shumica e klientëve janë trembur”, thotë Kotherja.

Ana tjetër e medaljes tregon që Shqiptarët kanë Turqinë në preferencat e tyre por më e përballueshme mbetet Greqia.
“Çdo shqiptar para se të mendojë pushimet interesohet për Turqinë e cila ka shërbim të mirë. Megjithatë edhe në Turqi janë rritur shumë çmimet. Edhe atje është abuzuar shumë me çmimet.

Min: 05:01 Nga statistika tona, Greqia mbetet e preferuar, qoftë ata që ikin vetë apo ata që prenotojnë me agjenci”, shton agjenti.
Edhe pse bumi i turizmit shënon muajt e verës tashmë sipas agjentëve turistik, klientët janë bërë të zgjuar dhe kanë zhvendosur pushime e tyre në gjithëvjetore duke përfituar edhe nga çmimet, por edhe nga temperaturat më të favorshme se ato përvëlueset e verës.