Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tha se Brukseli do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Rusisë, duke synuar financimin dhe strukturat që mbështesin luftën në Ukrainë.
Kallas deklaroi se BE po përgatit një tjetër paketë të re të sanksioneve kundër Rusisë. Deklarata e Kallas erdhi pas një videokonference të Këshillit Evropian mbi luftën në Ukrainë. Takimi u zhvillua vetëm një ditë pas takimit të jashtëzakonshëm të presidentit ukrainas dhe udhëheqësve evropianë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Uashington.
Sipas saj, “uniteti midis udhëheqësve evropianë në video-konferencë ishte i dukshëm”, ndërsa theksoi se i ka vendosur çështjet që lidhen me sigurinë e Ukrainës dhe sanksionet kundër Rusisë si përparësi kryesore përpara javës së ardhshme, kur do të takohen ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të BE-së.
Gjithashtu shtoi se garancitë e sigurisë duhet të jenë të forta dhe të besueshme, në mënyrë që të parandalohet rigrupimi dhe sulmi i Rusisë përsëri.