Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas një vendimi të gjyqtarit Ligoraq, i cili vendosi brenda pak minutash dhe pa praninë e palëve që të mos hapet kalimi i mbyllur nga një strukturë pa leje një ndërtim me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën ndodhet një dyqan. Ky ndërtim, sipas Ramës, po kryen veprimtari tregtare në kurriz të komunitetit dhe paraqet rrezik serioz për banorët në rast emergjencash, si zjarri.
Rama e akuzoi gjyqtarin për shpërfillje të interesit publik dhe vuri në dukje se vendimi i tij i bashkohet një sërë rastesh të ngjashme që tashmë janë pjesë e një dosjeje të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe që do t’i përcillet organeve të kontrollit dhe vetëqeverisjes së gjyqësorit.
“Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën shtrihet një dyqan ku bëhet tregti në kurriz të komunitetit
Gjykatësi Ligoraq nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe me siguri as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit.
Gjykatësi Ligoraq i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërkohë që ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor
Post Scriptum. Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare.
Por askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve, me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve.”, shkruan Rama.