Shqipëria rreshtohet krah SHBA dhe Perëndimit duke dënuar kërcënimet e Iranit. Tirana zyrtare ka nënshkruar një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i bën thirrje autoriteteve iraniane për të ndaluar aktivitetet e paligjshme në territoret e tyre, ndërsa vendet firmetare angazhohen për bashkëpunim kundër kërcënimeve të mundshme.
Shqipëria është rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Britanisë së Madhe dhe dhjetë shteteve europiane, të cilat dënojnë sulmet dhe kërcënimet e Iranit në territoret respektive.
Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se përpjekja e inteligjencës iraniane për të goditur individë në Europë apo Amerikën e Veriut cënon sovranitetin e shteteve, pavarësisht se kush është objektivi.
“Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve iraniane të inteligjencës për të vrarë, rrëmbyer dhe ngacmuar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizata ndërkombëtare kriminale për të sulmuar gazetarë, disidentë, qytetarë hebrenj si dhe zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut.”
Të gjitha shtetet firmëtare i bëjnë thirrje autoriteteve iraniane që ta ndalojnë aktivitetet e paligjshme në territoret e tyre ndërsa angazhohen për bashkëpunim kundër kërcënimeve të mundshme.
“Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin dhe i bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që të ndalojnë menjëherë këto aktivitete të paligjshme në territoret tona përkatëse.”
Në shtator të 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas sulmeve kibernetike që goditen infrastrukturën kritike të institucioneve shtetërore në korrik të po atij viti. I gjithë përsoneli diplomatik la territorin shqiptar brenda 24 orëve ndërsa asokohe, sulmi kibernetik kundër një aleati të NATO-s u dënua edhe nga Shtëpia e Bardhë.