Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar planin e propozuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që ushtria “të marrë kontrollin” e Qytetit të Gazës.

Sipas planit për “mposhtjen” e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës, ushtria izraelite do “të përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, teksa njëkohësisht do të shpërndajë ndihma humanitare për popullatë civile jashtë zonave të luftimeve”, u tha në njoftimin e Zyrës së Netanyahut më 8 gusht.

Operacioni që IDF do të përgatisë ka të bëjë vetëm me Qytetin e Gazës; synimiështë evakuimi i të gjithë banorëve të qytetit në kampet qendrore të refugjatëve dhe zona të tjera deri më 7 tetor 2025.

Gati dy vjet pas nisjes së luftës në Gazë, Netanyahu po përballet me presion brenda shtetit dhe nga jashtë për të arritur një armëpushim në Gazë dhe për t’u tërhequr nga territori palestinez. Ai gjithashtu po përballet me presion që të lirohen pengjet që mbahen nga Hamasi.

Teksa mblodhi kabinetin e tij të sigurisë të enjten, Netanyahu tha se Izraeli planifikon që të marrë kontrollin e plotë të Gazës, por shtoi se nuk synon që të qeverisë me këtë territor.